“Nuk kam dilemë se çdo shqiptar në Mal të Zi mendon njësoj si unë. Unë vërtet nuk i takoi një partie nacionale shqiptare, por jam i vetmi shqiptar i cili është opozitë në këtë moment në Parlamentin e Malit të Zi”, deklaroi deputeti i Malit të Zi Pozitiv Dritan Abazoviq.
Ai në intervistë për “Koha javore” tha se nuk i kupton partitë nacionale shqiptare të cilat ende vazhdojnë një politikë destruktive, shumë servile ndaj pushtetit aktual që është në fuqi që 24 vjet. “PDS është fajtori kryesor për situatën në të cilën gjendemi dhe për shkak të cilit trevat ku jetojnë shqiptarët janë trevat më të varfra në Mal të Zi, ku shumica e popullatës emigron në SHBA apo në shtete të ndryshme perëndimore”, shtoi Abazoviq.
Sipas fjalëve të tij, pushteti në Ulqin në largim ka dështuar totalisht. “Ai nuk ka mundur të prezantojë apo të fusë në jetën e Ulqinit një vlerë të re dhe një atmosferë të re, ku do të ndjehemi të gjithë më të integruar dhe çdo njeri do të ndjente më tepër liri se më herët”, përfundoi Abazoviq.