Deputeti i URA-së në Parlamentin e Malit të Zi Dritan Abazoviq ka deklaruar se gjithmonë e dënon dhunën, provokimet dhe ofendimet, mbi çfarë do baze. “Ofendimet nuk e kanë vendin as në rrugë, e jo ma në parlament”, tha ai për “Dan”.
Abazoviq theksoi se nuk ka parë provë materiale që deputeti i PDS-së Luigj Shkrela u ofendua në baza nacionale.
“Nuk kujtohem që cilido deputet, duke përfshirë edhe Shkrelën, ka thënë ndonjë fjalë kur Millo Gjukanoviqi më ofendoi mua duke më quajtur kopuk dhe budalla në mes të Parlamentit. Askush nga PDS-ja nuk guxoi të hap gojën. Më herët ose më vonë fati troket në derën e çdokujt”, vlerësoi deputeti i URËS.
Ai shtoi se PDS-ja dhe Shkrela kanë heshtur kur kjo parti nëpërmjet medieve të veta ka përhapur urrejtjen nacionale me titujt si “Siptarska svinjarija”.









