Në Shqipëri nuk njihet fare, në treva: Kosovë, Preshevë e Maqedoni shumë pak, në Mal të Zi e një pjesë e cilësojnë si “tradhtar”. Por ai votat i merr përgjithësisht mes shqiptarësh dhe kryesisht në qytetin e lindjes Ulqin por edhe në Anë të Malit, Malësi, si dhe në Plavë e Guci.
Shqiptari Dritan Abazoviç (Abazi) është sot një nga figurat kryesore të opozitës që kërkon largimin e Milo Gjukanoviçit nga qeveria e Malit të Zi. Ai është armiku më i betuar i Milos, pasi ka një armë që i prish punë kryeministrit: nuk është kundër NATO-s, nuk është serb, por kërkon largimin e tij. Në një séance parlamentare, njeriu i forte i Podgoricës e humbi toruan nga ulqinaku i edukuar dhe e quajti “vagabond”, por që nuk i ngjiti.
Në një intervistë ekskluzive për dailynews.al, ai rrëfen të gjithë marrëdhëniet e tij me serbët, rusët e filorusët, konceptin për patriotizmin dhe premton se do të heqë prapashtesën viç “në një kohë të caktuar”.
Por ai deklaron se opozita i ka bërë një ofertë të madhe shqiptarëve dhe pakicave të tjera, përkatësisht postin e Kryeministrit në një qeveri kalimtare në Mal të Zi deri në stabilizimin e situatës.
Kur ju shohim në krah të opozitës që kërkon moshyrjen e Malit të Zi në NATO këtu në Shqipëri nuk kuptohet mirë. Si është e vërteta pasi shqiptarët kanë qenë pro hyrjes së Malit të Zi në NATO?
Bëhet fjalë për manipulim mediatik i cili shkon në drejtim të ruajtjes së pushtetit aktual në Mal të Zi.
Pra, teza e tyre kryesore me të cilën manipulojnë faktorin ndërkombëtarë është ajo se veçse pozita është pro evropiane, evroatlanitke dhe vetëm ajo e ruan Malin e Zi. Përndryshe, ky është koncepti pas të cilës fshihet plaçkitja e vendit, shkatërrimi ekonomik dhe social nga një numër i vogël i pushtetarëve.
Theksoj, jam dhe kam qenë pro anëtarësimit në NATO dhe integrimeve në Bashkimin Evropian.
Këtë përkrahje e kam dhëne në sektorin civil, në skenën politike, madje dhe në proklamimin kryesor mediatik që e ka bërë Mali Zi për hyrje në NATO.
Nuk jam përkrah opozitës që kërkon mos hyrjen në NATO, por jam pjesë e opozitës e cila në fakt është e larmishme, në të cilën ka dhe parti që janë kundër hyrjes në NATO, çka dhe është normale në një sistem demokratik. Po ta kishim të gjithë te njëjtin mendim për çdo pyetje atëherë do të ishim ende në sistemim komunist me një parti.
Mali i Zi ka nevojë thelbësore për ndryshime politike dhe ajo është ideja kryesore, NATO është vetëm një pyetje e cila do të marrë fund shumë shpejt me anëtarësimin e plotë të Malit të Zi në të.
Opozita Çelësi, ku ju merrni pjesë, ka kërkuar një qeveri teknike, ekspertësh kurse ju u keni dërguar një ofertë partive etnike. Pse s’bëheni bashkë me deputetin Nimanbegu dhe të formoni një pol pushteti shqiptar?
Qeveria teknike do ishte ideale për ndërrimin e pushtetit 27-vjeçar. Oferta është dërguar partive të pakicave pasi ato vendosin për krijimin e shumicës në Kuvendin e Malit të Zi. Kjo do të nënkuptonte bashkimin me Nimanbegun sepse edhe partia nga vij unë, URA, do të ishte në pushtet së bashku, apo nuk do të jetë, nëse pakicat vendosin të bëjnë pushtet vetë.
Sidoqoftë, kjo është oferta historike dhe përkrahja jonë ekziston në çdo model. Pra një gjë e tillë varet më shumë nga partitë nacionale se sa nga unë, ne kemi bërë ofertën për pakicat ku jemi të gatshëm t’i ofrojmë madje dhe vet postin e Kryeministrit, një post që sipas praktikes nuk do ja ofronte kurrë pozita e deritanishme.
Praktikisht pakicave shqiptare çdo herë i ka takuar veçse Ministria e pakicave, madje në mandatin e kaluar as edhe atë se kishin fituar nga pozita. Përsëris, partitë e pakicave tani e kanë shansin e tyre historike të zgjidhin çdo problem të Shqiptarëve në Mal të Zi.
Ju jeni në një parti qytetare pra kozmopolite. Në një referendum për hyrjen e Malit të Zi në NATO si do të votonit?
Partia nga e cila vij unë URA është partia e cila e ka theksuar që nga themelimi i saj se është pro hyrjes në NATO. S’do mend se edhe unë, në bazë të asaj çka thashë më sipër në pyetjet paraprake, por dhe idealeve të mija, do të votoja pro hyrjes në NATO. Jo vetëm kaq, por dhe nëse vjen deri tek referendumi do të marr pjesë në fushatën e cila do të proklamojë përkrahjen për anëtarësim.
Cili është mendimi juaj për marrëdhëniet me Rusinë dhe a ka ndikuar siç po thuhet në financimin e partive opozitare?
Çdo herë kam qenë ithtar i marrëdhënieve të mira me çdo kënd në skenën e marrëdhëniet ndërkombëtare, e sidomos për Malin e Zi si një shtet gjeostrategjik i vogël që nuk ka rol të madh në marrëdhëniet ndërkombëtare. Çdo shtet i cili ka ndikuar apo ndikon financiarisht tek partitë politike Malazeze është e dënueshme me ligj në Mal të Zi.
Nëse dikush ka punuar kundër ligjit apo Kushtetutës duhet të dënohet ashpër. Kështu që besoj se organet kompetente do ndërmarrin masa për zbardhjen e kësaj dukurie.
Çfarë mendoni për arrestimet e zhvilluara ditën e zgjedhjeve?
Së pari zgjedhjet vetvetiu në atmosferë të sulmit shtetëror nuk munden të jenë të lira dhe demokratike.
Ashtu që plotësisht e përkrah vendimin e përbashkët të opozitës që mos t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve. Gjithsesi, mendoj se arrestimet janë bërë me qëllim nga ana e partisë në pushtet të Gjukanoviqit, ashtu si ka bërë para dhjetë viteve me arrestimin e Shqiptarëve në aksion e ashtuquajtur “Fluturimi i shqiponjës”. Me të vetmin qëllim që t’i homogjenizojë votuesit e vet dhe t’i shpie në panik shumicën e votuesve të cilët do i votonin lirshëm partitë opozitare, se gjoja ato janë pro serbe dhe se të njëjtat kanë organizuar këtë aksion me kolonelët serbë.
Gjithsesi le t’ja lëmë kohës, se si do zbardhet kjo çështje, edhe pse jam skeptik se do shpaloset e vërteta e arrestit.
Në Krajë, dhe fshatra të tjerë por edhe në Plavë e Guci po ndodh një asimilim i shqiptarëve sidomos nga prezenca e kishës ortodokse serbe. Cili është opinion juaj për këtë?
Për mendimin tim nuk ka ndikuar Kisha fare, sa ka ndikuar politika dhe gjendja ekonomike të cilën e ka krijuar ky pushtet dhe vet shqiptarët me manifestin përmes partive nacionale shqiptare të cilat e kanë perkrahur atë politik.
Partitë nacionale të përfaqësuara me pesë deputetë para ca viteve kanë arritur në një të vetëm, ky fakt tregon më shumë se duhet për mbështetjen edhe punën e tyre.
Ato nuk kanë bërë asgjë në lidhje çështjen e emigrimit, arsimimit, kthimin e tokave shqiptare, kyçjen e tyre në organet shtetërore, etj., edhe pse kanë pasur mundësi për një veprim të tillë, sepse pothuajse gjatë gjithë kohës janë pjesë e pushtetit qendror. Vetëm në 15 vitet e fundit numri i shqiptarëve ka rënë prej 7% në 4,9%, pra kumulativisht 27%.
Kjo është shifër mjaft e qartë se duhemi të ndryshojmë diçka dhe atë shumë shpejt, përndryshe emigrimi do të vazhdojë me shifra më drastike.
Zotëri Dritan, Jeni ndër intelektualët që flisni shumë mirë shqipen standarde dhe merrni vota kryesisht tek njerëzit e shkolluar. Por pse e mbani prapashtesën iq, nëse na lejohet?
Çështja e prapashtesave ka qenë pjesë e sistemeve të më hershme, kryesisht atij komunist, ku mbiemrave i shtoheshin prapashtesat viq – iq. Psh., mbiemri i familjes time ishte Abazi dhe u shtua prapashtesa viq, Abazoviq.
Gjithsesi, këtë çështje nuk do ta politizoja. Por theksoj, se në të ardhmen në një kohë adekuate do ndryshojë apo do hiqet dhe prapashtesa, edhe pse mendoj se në parim me apo pa prapashtesë nuk e bën një shqiptar më të fortë apo të dobët, ose se prapashtesat mund të jenë barrierë ashtu siç thatë dhe ju, që mos t’i marrim votat e njerëzve të shkolluar./dailynews.al