Deputeti në Kuvendin e Malit të Zi Dritan Abazoviq ka dënuar gjuhën e urrejtjes dhe daljet nacionaliste dhe ekstremiste, të cilët në cilëndo mënyrë ngrohin urrejtjen kombëtare dhe intolerancën, duke theksuar që ky nuk është koncept i Malit të Zi europian. “Misioni emancipues është të krijojmë ura, të afrojmë njerëzit. Kjo është rrugë më e vështirë, por e vetmja rrugë e drejtë e cila mund të sjell paqe dhe tolerancë dhe e cila mund ta bëjë regjionin vend shumë më progresiv dhe më të mirë për jetesë”, tha Abazoviq për agjencinë MINA.
Ai, duke komentuar ngjarjet në disa qytete të Malit të Zi, mbas ndeshjes Serbi-Shqipëri, ka thënë që arsyet për këtë duhet kërkuar në faktin që ky vend ka ndërtuar sistem të dobët të shoqërisë qytetare i cili më shumë është demagogjik.
“Elitat politike të cilët përdorin këto ngjarje për të përfituar poenë politik, duke menduar që i bëjnë vetes dobi afatshkurte politike, duhet të jenë të vetëdijshëm që në afatgjatë i bëjnë dëm vetes dhe tërë shoqërisë”, tha ai dhe shtoi që shkak i të gjithëve është situata e vështirë ekonomike për çarsye njerëzit janë të frustruar dhe që i shtynë të jenë objekt i manipulimeve dhe grindjeve kombëtare, fetare dhe të ndonjë karakteri tjetër.
Siç theksoi, rruga europiane nuk nënkupton konflikte të reja, ndryshimin e kufijve dhe zgjerimin e mëtejmë të intolerancës. “Përkundrazi, rruga jonë evropiane nënkupton shkallë më të lartë të unitetit, shoqërisë qytetare dhe krijimin e regjionit në të cilin kufijtë nuk do të ndryshohen, por do të bëhen të padukshëm”, tha Abazoviq.