Ada: NDRYSHIMET NË GRYKËN E MAJTË TË BUNËS

Gryka e BunesNë vitin 2011 po përgatisja një version hartografik të ndarjes së detit midis Malit të Zi dhe Shqipërisë (jo se kish ndonjë kërkesë nga qeveria …) por ishte thjeshtë hulumtim vetjak. Qeveria e atëhershme (dhe qeveritë…) as që duan t’ia dinë për ujanën e madhe, në Det dhe në Gji të Dheut të tyre. Kujtoni, se ç’ndodhi me ndarjen e Detit Jon, me Greqinë.

Ndërsa kërkoja ishullin e Franz Joseph, s’e gjeja, se ishte shndërruar në siujdhesë. Fshiva sytë e mi gjeografikë. Dinamika e Bunës dhe e Detit kish sjellë ndryshime, kaq të spikatura.

Ai ishull, kish qenë prodhim i Bunës dhe prurjeve të saj të ngurta si dhe procesit të dallgëzimit detar, në deltën e saj ku ndahet në dy degë brinjënjishme duke qarkuar Adën e Malit të Zi, në trekëndorin që krijon Buna dhe Deti.

Hartografët e Perandorisë Austrohungareze, teksa përpilonin dhe krijonin hartën, në vitin 1870, s’gjetën as emër as gjurmë hulumtimi gjeografik, se grykëdredhja s’kish dalëzotës, ishte ashtu jetime, në një vend të fatkobit. Prandaj dhe ata i vunë emrin e Perandorit të tyre Franz Joseph të Habsubrgëve, këtu në Bunën tonë ilirike. Kështu ngeli që 150 vjet më thellë.

Ndërkaq, pas një shekull e gjysmë le të hapim së bashku Google Earth. Përqendrohuni tek Delta e Bunës. Poshtë Franz Jozeph që është siujdhesë, ka dalë prej detit Nimfa e re, kjo krijesë e stërmundimshme e Bunës dhe e Detit. Lënda e krijesës ka ardhur që nga Bjeshkët e Namuna deri në Pind, grimcë pas grimce, kristal, gurë dhe aluvion, bartur nga Drini dhe Buna.

Shihni pamjen a nuk duket si vashë?

Një Nimfë, vajzë e bukur e Zeusit, që rron në Dete dhe Lumenj, që mbron njerëzit dhe bimët. Ndenjur mbi kordonin litoral të krijuar, me gjunjët fshehur në det dhe me shpinë të kthyer nga Ada, ndërkaq duart dhe gjinjtë i ka të bardhë si skulpturorë, bukurane e Dheut dhe e Detit, me fytyrë plot sharm dëftyer drejt Velipojës. Flokët i ka me det të ngjyer.

Tejdukshmëria e detit bën të shikosh kordonin litoral rreth 1,5 km që harkon në gjymtyrët e saj nëndetarë, të lëmuar nga lënda e maleve.

Matni nga zemra e ishullit ( Nimfës) gjer tek kreu i Franz Jozeph. Largësia është 500 metra, pastaj kalojeni shigjetën për nga Ada e Malit të Zi dhe do të keni 634 metra. Ishulli i ri është larg nga fshati Pulaj 3732 metër. Sipërfaqja e tij na i shtohet vetvetes së Dheut: 1, 2 hektarë.

Myslim Pashaj – Gazeta Shekulli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…