Administratori i falimentit në Kripore Ognjen Jovoviq ka thënë se nuk është i njohur pronari i ndërmarrjes më të vjetër në Ulqin.
“Nuk dihet kush është pronar i Kripores, është shumë e diskutueshme kush e shfrytëzon, kush është pronar, cilat janë të drejtat e çdokujt në këtë proces, për çfarë mund të përdoret Kriporja, a është vetëm park i natyrës, prodhim i kripës, apo ka edhe veprimtari tjera komplementare, pra që mund të zhvillohen në këtë hapësirë. Kemi të bëjmë me hapësirë të madhe prej 14 milion e gjysmë metër katror”, tha ai në deklaratë për Al Jazeera Balkan.
Siç kujton ky medium, Kriporja me vite nuk punon. Kompania investuese Eurofond e ka privatizuar në vitin 2003, duke blerë paketën kontrolluese të aksioneve për 800 mijë euro.
Falimenti u vendos në vitin 2005 ndërsa në vitin 2011 u shpall falimentimi për shkak të borxheve që tashmë kanë arritur shumën prej tetë milion euro.