Natyra ka qenë jashtëzakonisht bujare ndaj Ulqinit. Një udhëtar i magjepsur nga bukuritë natyrore të këtij qyteti ka thënë se nëse ka ndonjë parajsë në Tokë, natyra e krijoi fillimisht këtu.
Dhe shpeshherë, shumica e njerëzve, përfshirë edhe vendimmarrësit, nuk janë të vetëdijshëm për këtë. Si të ishte diçka e dhënë njëherë e përgjithmonë.
“Mund të më besoni, por edhe nuk është e nevojshme. Liqeni i Shasit është një nga liqenet më të bukura në Mesdhe. Ndoshta edhe më i bukuri,” ka thënë një nga ekologët më të njohur në Mal të Zi, Darko Saveljić.
Sipas tij, me rrënojat e Shasit ai përbën një lidhje të kulturës dhe natyrës me vlerë për tu regjistruar në UNESCO.
“Jemi vetëm të paarsyeshëm. Duhet që dikush nga jashtë të vijë dhe të na thotë se është bukur, që ne të mendojmë se është bukur. Përndryshe nuk është,” thotë Saveljić.
Situata është e ngjashme edhe me Valdanosin ose Adën e Bunës, Krruçin, Pyllin e Pishave ose Kriporen, ku pasojat e mungesës së administrimit janë më të dukshme. Aty prej 11 vitesh nuk ka prodhim kristalesh të kripës, që është kusht për ruajtjen e atij ekosistemi unik, për punësimin e punëtorëve dhe për ruajtjen e kësaj parajse për shpendët. Kushti paraprak është që të formohet një ndërmarrje që do të organizonte këto aktivitete, pra që të bëhet zgjedhja e menaxhmentit të kësaj kompanie më të vjetër të Ulqinit, siç është parashikuar në Vendimin e Kuvendit të Komunës së Ulqinit për formimin e Parkut Natyror Kriporja e Ulqinit, të miratuar diku në mesin e vitit 2019. Ky apel është bërë për të disatën herë Qeverisë së Malit të Zi edhe nga Konferenca e 7-të Ndërkombëtare, që u mbajt në Podgoricë në fund të vitit të kaluar. Qeveria duhet sa më shpejt të marrë vendimin për formimin e administratës së Komunës së Ulqinit, për të siguruar të ardhmen e saj të qëndrueshme, është theksuar në atë takim të organizuar nga Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjëve (CZIP).
Ambasadori i Gjermanisë në Mal të Zi, Peter Felten, i cili ka vizituar Kriporen katër herë që nga fillimi i mandatit të tij, ka thënë: “Me sytë e mi pashë se ka nevojë për veprim të menjëhershëm, por çfarë duhet bërë për Kriporen: duhen zgjidhur çështjet ligjore, sfidat e ndryshme, por edhe karakteristikat e rastit të Kripores që duhet të mbështeten nga vendime në nivel politik, si dhe një koncepti i qëndrueshëm i strukturës së administrimit.”
Pesë muaj më vonë, dëshmojmë se ende nuk ka aktivitete konkrete në këtë drejtim, prandaj mungon planifikimi, organizimi dhe kontrolli i përdorimit të burimeve natyrore në Kripore, për të arritur objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm. Në fund të fundit, menaxhimi i burimeve natyrore është pjesë integrale e menaxhimit të ekonomisë dhe shoqërisë dhe reflektohet në aktivitetet organizative të Qeverisë, institucioneve të saja në nivel kombëtar dhe në nivelin e vetëqeverisjes lokale, si dhe në pjesëmarrjen e publikut në hartimin dhe zbatimin e akteve ligjore, planeve, programeve dhe masave në fushën e përdorimit racional të burimeve natyrore për zhvillim të përgjegjshëm.
Ky tekst u krijua në kuadër të projektit të promovimit të mbrojtjes së mjedisit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit në Komunën e Ulqinit, i cili financohet nga Ministria e Kulturës dhe Mediave, nga Fondi për Stimulimin e Pluralizmit dhe Diversitetit të Mediave. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e OJQ “Ul info” dhe nuk përfaqëson medoemos pikëpamjet apo qëndrimin e Ministrisë.