Pak ka arsye për kënaqësi tek afaristët e Ulqinit mbas mbledhjes që u mbajt të hënën në kabinetin e kryetarit të komunës së Ulqinit Nazif Cungu me përfaqësuesit e Drejtorisë për punë inspektuese.
E vetmja risi është që në qytetet do të ketë inspektorë më pak, sepse ditët në vijim ato do të fokusohen në Plazhin e madh, gjegjësisht në Shtoj.
Rreth 150 afaristë të Ulqinit me anë të peticionit të dërguar Drejtorisë së punëve inspektuese kërkuan që më shumë të veprohet në mënyrë preventive dhe të lejohet kohë për heqjen e parregullsive të gjetura në punën e afaristëve.
Megjithatë, nga Drejtoria u tha që edhe deri tani është vepruar në atë mënyrë dhe që çdo gjë është bërë në pajtueshmëri me ligjin. “nuk mund të punoni më siç jeni mësuar”, kanë thënë udhëheqësit e Drejtorisë për punë inspektuese, përkatësisht Shtabit për përcjelljen e sezonit turistik në Ulqin.
Aktivitetet e rritura inspektorët do ti kenë në Ulqin nga 1 maji deri me 15 shtator. Gjatë majit inspektorët kanë shkruar 399 dënime.