Përshëndes dhe mbështes inciativën e dy shoqatave të gjuetisë, OJQ “Shepka” dhe OJQ “Pelikani“, për peticionin që kanë nisur për mbrojtjen e Kripores së re edhe si zonë gjuetie, pasi që kjo hapësirë parashihet që të ndalohet për këtë aktivitet.
Dua të sqaroj opinionin e gjerë se gjuetarët e Ulqinit janë për mbrojtjen, revitalizimin dhe funksionimin e Kripores në dobi të qytetarëve. Kjo iniciativë e tyre nuk është kundër shpalljes së Kripores park natyror, por bëhet me qëllim për të ruajtur traditën e kahmotshme të sportit të gjuetisë, që është mjaft i dëshiruar edhe sot dhe trashëgohet brez pas brezi. Ky sport është jashtëzakonisht i domosdoshëm për qytetin tonë sepse kontribuon në mënjanimin e disa veseve që janë shumë problematike për rininë e qytetit tonë duke i orientuar ata drejt një aktiviteti në dobi të tyre.
Me këtë rast, dua të apeloj dhe t’i ftoj të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e këtij peticioni duke dëshmuar se ne jemi qytetarëtë lirë që dimë të mbrojmë traditën tonë dhe t’i menaxhojmë mjediset tona ashtu siç duhet, e jo siç duan disa grupe apo individë nga Podgorica apo qytetet tjera, të cilët nuk kanë të bëjnë fare me Kriporen e Ulqinit, por atë e shohin dhe e shfrytëzojnë vetëm për përfitime personale!