Albinot MALOKU: SULLTAN ERDOĞAN

“Kombi i madh, fuqi e madhe” ishte motoja e Kongresit të katër të përgjithshëm të Partisë për Drejtësi e Zhvillim, e mbajtur para disa kohe në Turqi. Adalet ve Kalkınma Partisi, shkurt e njohur si AKP është subjekt politik i qendrës së djathtë me koncept social konservativ e themeluar në vitin 2001 me kryetar Recep Tayyip Erdoğan. Ky kongres rizgjodhi kryetarin e partisë dhe afirmojë ambiciet e saja deri në vitin 2023, kur edhe Republika e Turqisë do të festojë 100 vjetorin e formimit të saj.

Ky kongres i AKP-së tërhoqi vëmendjen e medies për arsye të ndryshme, ndër më kryesoret është fjalimi i liderit të partisë, i cili ishte shumë më ndryshe nga radhët tjera të fjalimeve të tij, çoftë në parti apo edhe në pushtet. Erdoğan është politikani më i fuqishëm dhe më popullori që ka pasur Turqia, ndoshta prej formimit të saj si Republikë. Kryeministri turk Erdoğan edhe vet krenohet, por me të drejtë ai dhe Turqia si tërësi kanë pasur arritjet më të mëdha ekonomike e politike, sidomos gjatë këtyre viteve nën drejtimin e garniturës politike të ofruar nga AK partia.

Erdoğan në këtë kongres përveç retorikës emocionale të cilën e përçoi para audiencës, ku tek simpatizantët e tij u pa si lideri më i merituar për popullin turk, kurse për kundërshtarët si demagog e ndoshta edhe “diktator” i ardhshëm, ai kërkoi leje nga partia e tij që të kandidoj për kryetar për mandatin e fundit, në pajtim me statutin e partisë. Vizioni i dhjetë viteve të ardhshme për Turqinë, i cili ka hiq më pak se gjashtëdhjetë e dy objektiva si dhe rikujtimi për Betejën e Manzikertit e vitit 1071, ishe ajo e cila e nxori mendimin e paraqitur në mediet botërore se kryeministri i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan pretendon të bëhet “Sulltan” i “Perandorisë Turke”.

Duhet kujtuar se kjo betejë për shumë turq është ndjellëse dhe shumë domethënëse, nga se në Betejën e Manzikertit të vitit 1071, perandoria Osmane pati zgjerimin e madh të saj, duke mposhtur fuqinë udhëheqëse të krishtere të asaj epoke, Perandorinë Bizantine. Kurse me 2071 bëhet një mijë vjet nga kjo betejë, të cilën kryeministri Erdoğan tha se duhet kujtuar edhe atë, përveç njëqindëvjetorit të Republikës së Turqisë.

Rishqyrtimi i funksionit të ushtrisë dhe policisë turke si dhe ndryshimi i sistemit qeverisës nga ai presidencial apo gjysmë-presidencial janë preokupimet kryesore të AK partisë së Erdoğanit. Në aspektin ekonomik Republika e Turqisë është me e stabilizuar se kurrë, në atë diplomatik ajo ka pasur ngritje duke e shtrirë interesin gjeopolitik të saj, sidomos në ato hapësira të cilat ishin nën qeverisjen e Perandorisë Osmane në të shkuarën.

Ndër të tjera kryetari i AKP-së Erdoğan në kongres nuk foli për reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian për procesin e integrimit, përkundrazi foli për nevojën e respektimit të të drejtave të besimtarëve në vendet e BE-së.

Duhet kujtuar këtu që Republika e Turqisë është kandidate për anëtarësim në BE që nga vitit 1987, por që nga ajo kohë ka ngelur vetëm kandidate.

Shikuar këto në një fotografi, jo pa të drejtë krijohet imazhi i një Sulltan Erdoğani, tamam si në kohët e vjetra të Sulltanëve osmanlinj. Mediet nxorën disa sulltanë të cilëve do të mund tu ngjante kryeministri turk Erdoğan.

I pari në këtë listë, gjithherë sipas medieve, është krahasimi në mes të Sulltan Selimit të Parë dhe “Sulltan” Erdoğanit. Sulltan Selimi i Parë para se të fillonte invazionin në Egjipt, Siri dhe pjesën perëndimore të Persisë, ai i rifreskojë marrëveshjet me forcat Evropiane të kohës për të mos hapë front të ri në të njëjtën kohë. Hapësirat më të rëndësishme për Sulltan Selimin e Parë ishin Meka dhe Medina. “Sulltan” Erdoğani emëroi urën e tretë të Stambollit në Bosfor me emrin e Sulltan Selimit të Parë. Ngjashëm si Sulltan Selimi i Parë edhe “Sulltan” Erdoğani e kuptojë rëndësinë e marrëdhënieve me SHBA-të NATO-në dhe BE-në, por Lindja e Mesme është fokusi kryesor i tij.

I dyti në këtë listë, gjithherë sipas medieve, është krahasimi në mes të Sulltan Mahmudit të Dytë dhe “Sulltan” Erdoğanit. Sulltan Mahmudi i Dytë ishte i njohur për përplasjet e tij me trupat speciale të njohur si jeniçerë, të cilët ndërhynin në politikën e pallatit. Pas shtypjes së tyre, Mahmudi i Dytë inicoi “Tanzimatin”, reformë kjo e dizajnuar për ta modernizuar dhe pro-perëndimizuar Perandorinë, e cila pati një rënie dhe si përpjekje për të fituar favor me Evropën. Sikurse ky sulltan edhe “Sulltan” Erdoğani inicio kufizimet e pushtetit të ushtrisë në politikën turke. Në mandatet paraprake, “Sulltan” Erdoğan bëri përpjekje për reformë në përputhje me kriteret e nevojshme për të fituar hyrjen në BE.

I treti në këtë listë, gjithherë sipas medieve, është krahasimi në mes të Sulltan Mehmetit të Dytë dhe “Sulltan” Erdoğanit. Sulltan Mehmeti i Dytë ishte ai që morri Stambollin e sotëm, dhe e çoi në përmbysje Perandorinë Bizantine. Ky sulltan e koncentroi fuqinë e rindërtimit të Stambollit si qendër ekonomike e politike të Perandorisë së tij. Ashtu sikurse edhe te Sulltan Mehmeti i Dytë edhe te “Sulltan” Erdoğani ka zënë vend të veçantë në zemrën e tij, Stambolli. Si kryebashkiak i qytetit gjatë viteve të ’90, ai përqendroi vëmendjen e tij në trajtimin e çështjeve të cilat preokuponin Stambollin. Si kryeministër planifikoi të ndërtoj aeroportin e tretë, një urë shtesë në Bosfor dhe një kanal anijesh në Detin e Zi. Sikurse edhe Sulltan Mehmeti i Dytë edhe “Sulltan” Erdoğani ka thënë se Stambolli, duhet të jetë urë midis Lindjes dhe Perëndimit.

Së fundi në të listë është Sulltan Abdulhamidi i Dytë. Ai ishte sulltani i cili sundoi mbi kushtetutën e parë të Perandorisë. Edhe pse me kundërshtar ai sundoi për 30 vite duke e instaluar me mjeshtri politiken e tij, dhe duke forcuar sundimin e tij absolut. Ndryshe nga Sulltan Abdulhamidi i Dytë, “Sulltan” Erdoğani është lider i zgjedhur me votën e popullit, duke respektuar vlerat demokratike, por që tentimi i tij është për ndryshimet kushtetuese, me kompetenca të shtuara për presidentin, me tentim për të ardhë në pozitën e presidentit në zgjedhjet e ardhshme turke.

Duke i parë të gjitha këto shohim se opinioni shoqëror e politik në botë po krijon me të vërtet përshtypjen se kryeministri Erdoğani pretendon të bëhet një sulltan modern i ish-perandorisë Osmane të riformatuar para afro 100 vitesh në Republika e Turqisë. Shtrirja gjeostrategjike e gjeopolitike e ndikimit të sferës së interesit për Republikën e Turqisë është mase normale, sikur edhe i çdo shteti i cili harton synimet e veta.

Kryeministri Recep Tayyip Erdoğan i Republikës së Turqisë me të drejtë në arenën ndërkombëtare është parë si i vetmi lider i botës islame pa ndikim nga forca të tjera, krejtësisht i vetëdijshëm për pozitën e tij, dhe gëzon simpati, por edhe i padëshiruar për kundërshtarët e mendimit të tij. Pavarësisht krahasimeve, Recep Tayyip Erdoğan është lider i një vendi me ngritjen ekonomike e politike më të madhe në 10 vitet e fundit.

www.albinotmaloku.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi