Aleksandar Janinoviq: CEREMONIA PËR TRI FE NË KRRUÇ

Aco janinovicKrruçi është një nga fshatrat më të bukura dhe më të qeta në komunën e Ulqinit. Të tillë janë edhe banorët e tij: gazmor, të qetë, punëtorë dhe të vyeshëm. Nuk mbahet mend se kishin ndonjëherë konflikt mbi baza fetare ose nacionale, edhe pse në Krruç me shekuj jetojnë katolikët, myslimanët dhe ortodoksët.

Kolegu Aleksandar – Aco Janinoviq është filizi më mirë i harmonisë, solidaritetit dhe interkulturalitetit të Krruçit.

Për lexuesit tanë po e përcjellim një shkrim të tijin i cili u publikua në gazetën “Pobjeda” me 3 shkurt të vitit 2002.

Në Krruç, fshatin bregdetar, të njohur për faktin se ka njëzet herë më shumë shtëpiza verore në raport me dyzet shtëpia të vendasve, po mbahej Mevludi, ceremonia fetare myslimane. Përkujtimoren për vëllain e vet Cufin, i cili ndërroi jetë në Suedi, në xhaminë ku shërbimin fetar po e bënte Rexhep Lika (me kolegë) e organizoi Junuz Liti Vukoviqi, edhe ai me banim jashtë shtetit.

Ftesës iu përgjigjen të gjithë banorët vendas, njerëz të tri feve. Larmia fetare vërehet për nga Mishko M., Stevo dhe Rashko J., pastaj për nga Gjoni, Filipi dhe Nikollë H. ose Ana (Prena) B., por edhe për nga Muho J., Emro L. dhe të tjerë. Rreth njëqind njerëz u tubuan të shprehin ngushëllimet për vendasin i cili, përndryshe, para pothuajse pesë dekadash u largua jashtë shtetit ku ndërroi jetë dhe u varros.

Mirëpo, mbeten kujtimet, historia u përcoll tek më të rinjtë, në mënyrë që, edhe me këtë detaj, të vërtetohet ai tregimi mbi harmoninë dhe kujdesin në mesin e Krruçjanëve. Ky mevlud do të shërbejë si fillim i tregimit mbi kalitjen e harmonisë tek Krruçjanët, e cila deri me sot prodhon rezultate pozitive. Dhe u përcoll tek pronarët e shtëpizave verore. Për fund të tregimit mbi “ceremoninë për tri fe” të themi se të gjithë banorët që i takuan religjioneve tjera u ftuan të jenë të pranishëm gjatë lutjeve në xhami, gjë që disa e pranuan, edhe pse nuk u falën. Ceremonia përfundoi me ndarjen e ëmbëlsirave dhe lëngjeve për të pranishmit.

Historia e përkujdesjes së ndërsjellët të Krruçjanëve, ku jetojnë vendasit me “tri fe” dhe “dy kombe”, mund të fillojë me shembujt se si fshati është kujdesur për një familje ortodokse, por edhe për detajet të cilët flasin se si familja J., e cila nuk ishte e madhe, e meritoi këtë kujdes me veprimet e veta. Mujo I., tetëdhjetë vjeçar, tregoi se si amvisja e respektuar Marija J. diti t’i mbante policët e ndryshëm, të cilët gjatë viteve tridhjetë të shekullit të kaluar vinin kontrollonin nëse në fshat ka peshk të zënë me dinamit (pa leje) ose duhan për tregti. Derisa ato pinin kafe dhe raki në familjen ortodokse, zëri përhapej nëpër fshat se “erdhën xhandarët”. Arsye e mjaftueshme që çdo gjë menjëherë të fshihet. Dhe policët iknin duarbosh.

As festë dhe as dasmë në fshat nuk mund të kishte pa të vetmen familje ortodokse. Gjëja më e rëndësishme është që ato të gostiten dhe të fitojnë përkujdesjen maksimale. Familja J. revanshohej në kohën e krishtlindjeve, pashkëve dhe festave të tjera. Këto gosti ishin për tërë Krruçjanët. As Lufta e Dytë Botërore nuk e prishi këtë përkujdesje dhe harmoni. Çdo vendas i moçëm do t’ju tregojë se si në një natë dimri, patjetër që jo për herë të parë, në këtë shtëpi në fillim të fshatit, fjetën një grup partizanësh. Kur e mësuan këtë gjë, ballistët rrethuan shtëpinë, e pastaj nxorën dy vëllezërit e mëdhenj duke iu kërkuar që t’ju zbulojnë partizanët e fshatit, të cilët shpëtuan pa pasoja. Dhe i kërcënuan me pushkatim. Kur u dëgjua për hallin në të cilin ndodhen, banorët vendas u grumbulluan spontanisht, i lutën ballistët që mos të marrin masa, ndërsa ato vullnetarisht u nisën drejt qytetit për tu burgosur vullnetarisht në vend të dy vëllezërve J. Ballistët e hutuar nuk dinin çfarë të bënin. Pas marrëveshjes me komandantin i liruan, ndërsa kërcënimet i ridrejtuan kah banorët vendas.

Në fshatin e liruar nuk mund t’i mungonte banorëve vendas “as një qime floku”. Madje as vaji, për prodhimin e të cilit ishte i njohur ky fshat. Disa vendas menjëherë pas lirimit fshehën disa fuçi me vaj në bodrumin e Llazo J. në mënyrë që ta ruajnë nga blerja, thënë më mirë nga plaçkitja. Kur u dyshua se vaji fshihet në këtë bodrum, situata ishte dramatike. Mirëpo, i zoti i shtëpisë, me çmimin e jetës, nuk lejoj hyrjen.

Edhe zgjedhjet e Krruçit ishin histori në vete. Asnjëherë (deri pak kohë më parë), nuk është shikuar kush është shumicë, që t’i jepet pushteti. Përkundrazi. Këtu rikujtojnë se Gjuro J. më shumë se 40 vite ishte kryeplak i fshatit në Jugosllavinë e parë, gjegjësisht delegat “i përjetshëm” në të dytën. Kujtohem se si neve na e “arsyetonte” këtë fakt një vendas i moçëm. E para, e zgjidhnim sepse ishte nga familja e mirë dhe, në këtë mënyrë, e nderonim dhe e respektonim edhe familjen. E dyta: e dinim që ai ka autoritet edhe tek pushteti, prandaj e dërgonim atë në “zjarr” që të luftojë për të gjithë ne. Dhe ai këtë gjë e bënte me sukses. Si në zgjedhjet e fshehta (kur në kuti janë vendosur topat që ishin vota të rrumbullakuara), por edhe kur zgjedhjet bëheshin me ngritjen e dorës – Gjuro J. fitonte. Plotë katër dekada Krruçjanët nuk kishin problem me përzgjedhjen e përfaqësuesve të tyre. Dhe ishin të kënaqur.

Tani në Krruç janë më pak familje se në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar. Pjesa më e madhe ikën jashtë shtetit. Por, Krruçjanët tubohen kur shfaqet nevoja. Siç ndodhi kur u organizua mevludi për Cufo L. Vukoviqin. Ta rikujtojnë harmoninë e njohur krruçjane.

Teksti është bërë në kuadër të projektit “Shfaqjet interkulturore”, të cilin e realizon OJQ “Ul info”, me përkrahjen financiare të Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimet e donatorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…