Alimehmeti: TIRANËN E VJETËR E KAM GJETUR NË ULQIN

Carshia e vjeter e Ulqinit“Vlerat e Tiranës së vjetër tashmë pothuajse janë zhdukur komplet dhe mua më mungon Tirana ime”. I këtij mendimi është njëri prej përfaqësuesve të familjeve të vjetra tiranase, Bedri Alimehmeti, i cili është i mendimit se zhvillimi që ka marrë Tirana nuk duhej të prekte pjesën e vjetër dhe vlerat që mbarte ajo.

“Familja Alimehmeti”, shpjegon, shkrimtari dhe gazetari, autor i dhjetra librave për Tiranën dhe personalitetet e saj, “është një ndër më të vjetrat në Tiranë, e vendosur fillimisht aty ku sot ndodhet sheshi ‘Avni Rustemi” e më pas në zonën e kinemasë “17 Nëntori” dhe megjithatë sot nuk përfillemi fare dhe të paktën në 10 vitet e fundit nuk jemi përfshirë fare në vendimmarrjen për zhvillimin e qytetit nga drejtuesit aktualë të bashkisë”.

Ai shprehet se tiranasit e vjetër, kanë paguar si në kohën e diktaturës edhe tashmë faturën më të lartë të kostos së zhvillimit urban të kryeqytetit dhe se ky fenomen duhet të ndryshojë në të ardhmen.

“Mua më mungon qyteti im vjetër, më ka humbur dhe ndjej dhimbje për qytetin tim, të cilin e kam gjetur në disa qytete, Ulqin, Tivar, Nikosia, në disa qytete greke. Ndërsa këtu në Tiranë çdo vlerë e qytetit të vjetër është shkatërruar, duke bërë që të harrohet historia kulturore, arkitekturore dhe vlerat e këtij qyteti”, shprehet me keqardhje Alimehmeti.

Si banor autokton i Tiranës, Alimehmeti thekson se qyteti tashmë e ka humbur fizionominë e vjetër. “Nuk jam kundër zhvillimit, por mendoj se vlerat e vjetra të qytetit duhet të ishin ruajtur. Tirana ka vuajtur një migrim të jashtëzakonshëm që rrallë e kanë provuar qytetet. Në botë kryeqytetet e vuajnë kudo, por këtu në njëfarë mënyre migrimi solli problemet e pronësisë, e zgjerimit të qytetit etj”.

“Në urbanistikë duket një Tiranë e çorientuar, pasi Tirana pamjen e saj të parë e ka pasur një qytet me vila. Tiranës po i fshihet historia”, shprehet ai.

Sipas Alimehemetit, është dashur ndërhyrja e shoqatës “Tirana” për të shpëtuar mos prishjen e disa rrugëve, në të cilat ishin gati lejet e ndërtimit për pallate, por ku më pas u ndalua ndërtimi dhe prishja e shtëpive karakteristike të qytetit, si rruga “Qemal Stafa”, një prej zonave të pakta ku ende mund të dallohet pjesa e vjetër e Tiranës.

Sipas autorit të librit, “Tirana e përgjakur”, i cili flet për vuajtjet e familjeve të vjetra tiranasa në kohën e diktaturës, “Tirana e re duhej të ndërtohej dhe të zhvillohej duke mos prekur dhe mos prishur vlerat e Tiranës së vjetër, ashtu siç është bërë në shumë qytete të tjera Evropiane”.

Pinjolli i familjes Alimemeti shprehet i indinjuar për mospërfilljen e familjeve të vjetra Tiranase në planet e bashkisë për zhvillimin e qytetir, duke deklaruar se, “ne si familje e vjetër, të paktën gjatë viteve kur kryetari aktual i bashkisë ka drejtuar Tiranën nuk jemi përfshirë fare në venddimmarrje përsa i përket zhvillimit të qytetit, as si banor të vjetër dhe as si shoqata “Tirana”, pjesë e së cilës unë jam prej vitesh. Ndersa si në kohën e Tomor Malasit, i cili ishte kryetari i parë i bashkisë pas viteve 90-të edhe gjatë kohës së Sali Kelmendit dhe Albert Brojkës, kemi qenë të pranishëm në vendimmarrje dhe jemi përfaqësuar edhe në këshill bashkiak. Ndërsa tashmë jemi shpërfillur nga drejtuesit aktualë”.

Përsa i përket zhvillimit të qytetit Alimehmeti shprehet se “Do të dëshiroja që Tirana të zgjerohej dhe të zhvillohet në drejtim të kodrave të Linzës”.

Në përfundim Alimehmeti thekson se në të ardhmen duhet të mendohet më tepër për qytetarët e Tiranës. Kryeqyteti dhe banorët e tij nuk duhet të shihen më thjesht për përfitime politike nga partitë gjatë fushatave, por duhet të ketë një program që të përfshijë në qendër qytetarin dhe në shërbim të tij. (ATSH)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi