Ambasadori i Republikës së Turqisë në Mal të Zi Mehmet Nijazi Tanëlër ka deklaruar sot që komuna e Ulqinit duhet të zgjedh me cilën vetëqeverisje lokale në Turqi do të krijojë marrëdhënie vëllazërore. “Ne më herët kemi propozuar që kjo të jetë një nga dy komunat në afërsi të Stambollit, në detin Marmara, Koxhaali ose Sakaria. Sepse, në to jetojnë shumë njerëz të cilët kanë prejardhje prej Ballkanit, e kanë ekonominë e zhvilluar”, tha Tanëlër.
Ai në takimin me kryetarin e komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka ka propozuar që drejtuesit e kësaj komunë të vizitojnë Turqinë dhe në vendngjarje të vendosin cili do të jetë qyteti me të cilin do të bëhet binjakëzimi.
Gjeka pranoi ftesën dhe theksoi që në periudhën e ardhshme pret investime më të mëdha nga Turqia. Theksoi që mbas verës mund të nis ndërtimi i akua-parkut, për çka, siç tha, komuna e Ulqinit i ka siguruar investitorit nga Turqia të gjitha kushtet.