Analisti Fatos Lubonja shfaqet kritik ndaj mazhorancës së re dhe hedh kritika mbi kryeministrin Edi Rama. Në një intervistë për emisionin “PULS” të Kohavisionit në Prishtinë, të cilën e përcjell “Mapo”, ai ka shfaqur kritika ndaj zhvillimeve në Shqipëri. Sipas Lubonjës, shqiptarët si shoqëri ende nuk po munden të konsolidohen. Arsyet, sipas tij, janë elitat politike shqiptare të korruptuara në të gjitha anët, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai tha se ata etja për pushtet nuk i lë të organizohen dhe të ecin përpara.
Ardhja e Edi Ramës në krye të pushtetit, sipas Lubonjës, nuk do ta ndryshojë imazhin e Shqipërisë, për shkak se Rama është i lidhur me oligarkët dhe krimin e organizuar. “Ai asaj elite duhet t’i përgjigjet dhe jo qytetarit të Shqipërisë“, vlerëson Lubonja.
“Edi Rama ishte njëmbëdhjetë vjet në krye të Bashkisë së Tiranës dhe dihen aferat e tij. Ndaj nuk pres që ky njeri të bëjë diçka për shtetin”, u shpreh ai.
“Shembull tjetër është Ilir Meta“, tha ai. “Si të ndryshojë imazhi i Shqipërisë me politikanin Ilir Meta, i cili u zu duke vjedhur, duke bërë korrupsion dhe i katërfishoi votat” – pyet Lubonja?
“Shqipëria ka vrimën e zezë e quajtur Lazarat, ku realizohet 50% e GDP-së së vendit me prodhimin e marihuanës.
Krimi i organizuar ka kapur shtetin, pra gjithë elitën politike, e cila është zhytur e tëra në krim.
Shqipëria ka nevojë për lindje e jo rilindje. Të njëjtit njerëz i kemi në pushtet. Vetëm kanë bërë rrotacion”, shprehet Lubonja.
“Edhe Aleanca Kuq e Zi i humbi votat për shkak se kreu i kësaj aleance ishte pjesë e sistemit, pjesë e korrupsionit, prandaj nuk u votua”, vijon ai. Në fundi, sipas tij, “grekët janë racistë ndaj shqiptarëve, kjo as që diskutohet. Por edhe ne si qytetarë të dorës së dytë jemi në vetë shtetin tonë, andaj edhe grekët nuk na trajtojnë ashtu siç duhet“.