Në esencën e “Shotës” është ruajtja e traditës muzikore e koreografike të trashëgimisë. E koncerti i fundvitit, pos festës, ka qenë një gërmim në hapësira të ndryshme shqiptare. Kësaj radhe, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve e ka zgjeruar hartën deri në Ulqin e prej aty ka marrë edhe “Vallen e peshkatarëve”, të cilën e ka rikthyer para publikut në Kosovë pas dy dekadash, kur e luajti për herë të parë.
Institucionet kulturore e kanë bërë traditë ta mbyllin programin vjetor me organizime festive. Trupa e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” të hënën mbrëma ka sjellë xhevahiret e krijimtarisë muzikore e koreografike tradicionale.
E veçanta e koncertit ku është prezantuar melosi tradicional ka qenë “Vallja e peshkatarit” me koreografi të Haki Mulliqit e rikthyer dy dekada pas, prej kur ishte dhënë premierë nga trupa e “Shotës” në vitin 2003.
Të përvjelë e me rrjeta kanë hyrë në skenë valltarët. Gratë kanë qenë me veshje nusërie. Derisa kanë hapur rrjetat, pjesët e shkurtra si kërkesa ndaj shoqëruesve të tyre kanë qenë humoristike. Krejt bashkë edhe kanë kënduar këngë ulqinake. Krejt koreografia në tërësi ka qenë me motive nga qyteti i Ulqinit. Me të është sjellë një pjesë e traditës detare.
Autori i koreografisë ka thënë se nëpërmjet saj sillet tradita e një treve më pak e hulumtuar.
“Është një trevë që pak është hulumtuar, pak është prezente. Që nga veriu në jug kemi krijimtari që u kushtohen. Kemi edhe nga Maqedonia, por jo nga Mali i Zi, nuk ka pasur krijimtari koreografike. Por edhe për shkak të vlerave të saj më kanë ftuar ta inskenojmë. Më vjen mirë që më kanë ftuar, që e kemi ringjallur pas dy dekadash, diçka që e ka vendin në mesin e artistëve dhe të opinionit të gjerë”, ka thënë profesori Haki Mulliqi, autor i shumë koreografive popullore.
Sipas tij, “Vallja e peshkatarit” është shumë më e veçantë për nga koreografia e pjesa muzikore.
“Ka qenë shumë e veçantë, sepse për dallim prej valleve të tjera në Shqipëri e Kosovë, kjo është një lirikë tjetër ku nuk ka ndonjë ritëm të veçantë a dinamikë më të madhe. Kjo është në frymën e një qyteti ku ka detin, relaksin, Mesdheun. Është shtruar kjo frymë dhe të them të drejtën publiku e ka pritur shumë mirë. Personalisht, nga e gjithë krijimtaria ime, kjo ka qenë më e veçantë”, ka thënë Mulliqi, shkruan Koha ditore.