Përsëri po trajtoj pothuajse të njëjtën temë sikur në shkrimin e kaluar, e që ka të bëjë me mentalitetin e qytetit të Ulqinit.
Pata pak kohë të ulem dhe mendoj e të them të drejtën më rrëqethet trupi (“më bahet mishi kokërr”) prej disa veseve (më mirë të them “vesveseve”) të cilat “na i kanë fut në gjak” që në fëmijëri.
Po filloj duke numëru më banalen: “thonjtë nuk prehen në mbrëmje (natën). Zoti na faltë e na ruajt, por unë ala kam frikë mi pre natën se “na kanë shti t ‘zezën mirë”, kur ishim të vegjël.
Po vazhdoj me disa pozitive si p.sh: “kur kruhet dora e majtë fitojmë pare”, ose “kur na del yrzylla në sy” atëherë dikush është me barrë. Normal varet se në cilin sy, për të kuptu se a do të shtohemi nga ana e nanës apo nga ana e babës. Prep po them: Zoti na faltë. Por, ka edhe me keq.
Edhe mos më thoni që nuk e keni apliku edhe ju “e vesh mbathjet (brekët) mbrapsht që mos me të kap syni”, e nëse rastësisht veshim diçka mbrapsht atëherë kena mu gëzu diçka. Prep po them Zoti na faltë e na udhëzoftë.
“Mas rri n ‘qoshe se s’ka me të dalë rrisku (fati)”, apo “maje një thelb hudhër puna synit” …
E sa shumë të tjera ka, pres që ju ti numëroni në komente.
Tani po vazhdoj dhe po e përmbylli shpalosjen e këtij “halli” që kam, duke iu drejtu të parëve tanë.
Me siguri shumica nga ju: nana, madhe e nendaja (gjyshe), teze e halla, jeni “viktima” të këtyre traditave të cilat ashtu sikur ju neve, të parët tuaj ju kanë “fut në gjak”…
Por me qëllim e pa qëllim ky për mendimin tim mëkat quhet, e lus Zotin të na fal tanve sa jena e nuk vazhdojmë “në këtë rrugë”…
Se përsëri derisa shkruaj po më kujtohet edhe që nuk guxojmë të lajmë rrobat të xhumanë, që të martën është një sahat i ligë, që “patkonjtë” na mbrojnë nga të këqijat, e që për “Shinjergj” duhena me ba Hajmajlija, me na zgju prej gjumit duke na rreh më hitha, e larg qoftë mu rrëzu apo mu sëmurë për “Shinjergj” se thonë “nuk shnoshena kurrë”.
Çfarë të them më shumë. Përsëri po e mbyll duke thane prej zemre “Zoti na falte e na udhëzoftë tanve sa jena” e juve ju lutem nëse mendoni që e kam gabim me thoni.
One Response
Komentet ne Facebook: “Si guxen moj vajz mi perdor trunin? A ke marre? Trunin e ke per mi ba sallat.”