Në kuadër të edicionit botues të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” nga Ulqini, ditë më parë janë botuar dy libra të autorit Hamid Alaj: “Zhvillimi i shkollave dhe arsimi në trevën e Krajës dhe të Shestanit” dhe “Durimi dhe durueshmëria sipas parimeve islame”.Libri “Zhvillimi i shkollave dhe arsimi në trevën e Krajës dhe të Shestanit” është një monografi, e përbërë prej 603 faqesh, që flet mbi zanafillën e arsimit në këto treva, shkollat shqipe në Krajë dhe Shestan në periudha të ndryshme kohore, portretet e mësuesve veteranë dhe të mësimdhënësve që punuan apo punojnë në shkollat e kësaj treve etj. Autori na jep në mënyrë kronologjike rrugën e zhvillimit të arsimit në Krajë dhe Shestan. Redaktor i librit është dr. Nail Draga, kurse recensues dr. Bahri Brisku.
Ndërkaq libri “Durimi dhe durueshmëria sipas parimeve islame” trajton kuptimin e nocionit të durimit në disa aspekte të jetës shoqërore në përgjithësi, duke u përqendruar në kuptimin e durimit sipas parimeve islame. Redaktor i librit është Muhamet Nika, kurse recensues mr. Behlul Kanaqi.
Librat janë shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë.
Hamid Alaj është nga Kraja, por jeton në SHBA. Përpos këtyre librave, ai është autor edhe i dy librave të tjerë: “Huazimet turko-osmane në të folmen e Krajës” dhe “Nga nektari i mençurisë njerëzore”.
SHAI “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 100 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.