Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” nga Ulqini mbajti të hënën Kuvendin zgjedhor, në të cilin zgjodhi z. Ismet Kallaba, kryetar të ri të saj.
Ai është gazetar i gazetës “Koha javore”, pedagog në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, anëtar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve dhe kryetar i Komisionit për Arsim dhe Përdorim Zyrtar të Gjuhës Shqipe i KKSH-së.
Pjesëmarrësit e Kuvendit vlerësuan punën dhe rezultatet e udhëheqjes së deritashme të kësaj shoqate, në krye me kryetarin Ali Salaj, e cila ka ruajtur dhe rritur imazhin e mirë të Shoqatës, të krijuar falë punës së saj ndër vite.
SHAI “Art Club” është themeluar në vitin 1990 nga një grup i krijuesve dhe i intelektualëve të dalluar të Ulqinit, me qëllim të promovimit të kulturës, artit, letërsisë dhe shkencës shqiptare në Mal të Zi. Kjo shoqatë është bashkëthemeluese e Panairit të Librit në Ulqin dhe organizatore e manifestimit tradicional “Kalimera Poetike”, i cili vlerësohet ndër veprimtaritë më të mëdha kulturore te shqiptarët në Malin e Zi, organizatore e një numri të konferencave shkencore etj. Një vend të veçantë në punën e “Art Club”-it zë veprimtaria botuese, në kuadër të së cilës kjo shoqatë ka botuar deri tani mbi 100 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi, si dhe një numër revistash.