Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, në bashkëpunim me PEN Qendrën e Shqipërisë dhe PEN Qendrën e Kosovës do të organizojnë në Ulqin më 23-25 prill 2025 edicionin e parë të manifestimit letrar “Java e Letërsisë Shqipe”.
Programi letrar i larmishëm përfshin mbrëmje letrare, takime letrare, punëtori me krijues të rinj, debate për letërsinë etj. Kështu ky edicion i parë do të nisë me Mbrëmjen letrare “Poetët për Ditën Botërore të Poezisë”, ku poetët pjesëmarrës nga tre asociacionet letrare do të lexojnë vargje nga krijimtaria e tyre, ndërsa nxënësit e shkollës së mesme do të lexojnë pjesë të disa prej poetëve të njohur shqiptarë në formën e homazhit poetik. Në kuadër të manifestimit do të organizohen tre takime letrare me shkrimtarët: Entela Kasi dhe Binak Kelmendi, Ibrahim Berisha dhe Çerçiz Loloçi, Sadik Bejko dhe Sali Bashota, punëtoria me krijues të rinj “Si shkruhen llojet dhe zhanret e letërsisë: poezia, proza, eseja?” si dhe tryeza letrare me temë “Letërsia shqipe në programet dhe tekstet mësimore” (Mali i Zi, Kosovë, Shqipëri).
Qëllimi i Javës së Letërsisë Shqipe është promovimi i vlerave më të mira letrare dhe kulturore që krijohen në botën e sotme shqiptare dhe fokusohet në tri çështje kryesore: nevojën e promovimit të vlerave letrare dhe kulturore të shkrimtarëve të këtyre tre asociacioneve letrare në gjithë hapësirën shqiptare, ngritjen e vetëdijes kulturore të gjeneratave të reja si dhe krijimin e një komuniteti të qëndrueshëm që do të kontribuojë për vizionin e vlerave artistike dhe kulturore të Ulqinit, Tiranës dhe Prishtinës.
Ky aktivitet letrar me karakter edukativ, promovues dhe debatues është konceptuar me idenë e organizimit të tij në qytete të ndryshme shqiptare, ndërsa në të ardhmen pritet që atij t’i bashkëngjiten edhe asociacione që tubojnë krijues shqiptarë nga vende të tjera të rajonit dhe diasporës.
Projekti është mbështetur nga Komuna e Ulqinit në konkursin për organizatat joqeveritare, ndërsa partnerë në realizimin e aktiviteteve janë Libraria “Ulqini”, Shkolla e Mesme e Kombinuar “Vëllazërim-Bashkim”, Biblioteka e Qytetit – Ulqin, Shkolla Fillore “Bedri Elezaga” – Katërkollë, Bashkësia Lokale – Ostros dhe Muzeu Etnografik – Draginë.
Programi
E mërkurë, 23 prill 2025
Mbrëmje letrare (Poetët për Ditën Botërore të Librit)
Takim me shkrimtarët
Entela Kasidhe Binak Kelmendi
Moderatore: Sabina Osmanoviq
(LibrariaUlqini, ora 20:00)
E enjte, 24 prill 2025
Punëtori me krijuestërinj
“Si shkruhen llojet dhe zhanret e letërsisë: poezia, proza, eseja?”
(Shkolla e Mesme e Kombinuar “Vëllazërim-Bashkim” – Ulqin, ora 13:00)
Takim me shkrimtarët
Ibrahim Berisha dhe Çerçiz Loloçi
Moderatore: Ardita Rama
(Biblioteka e Qytetit – Ulqin, ora 20:00)
E premte, 25 prill 2025
Tryezë letrare
“Letërsia shqipe në programet dhe tekstet mësimore” (Mali i Zi, Kosovë, Shqipëri)
Moderator: Haxhi Shabani
(Shkollafillore “Bedri Elezaga” – Katërkollë, ora 13:00)
Takim me shkrimtarët
Sadik Bejko dhe Sali Bashota
Moderatore: Vediha Gjoni
(Muzeu Etnografik – Draginë, ora 19:00)









