Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” shënoi të mërkurën, më 21 mars, Ditën Botërore të Poezisë me një aktivitet të titulluar “Poezi dhe etnografi”, të organizuar në Muzeun Etnografik – Draginë.
Në takim morën pjesë poetë dhe krijues nga Ulqini dhe Shkodra, anëtarë dhe miq të SHAI “Art Club”, të cilët lexuan poezi nga krijimtaria e tyre dhe e poetëve tjerë. Në takim u diskutua për poezinë shqipe, me theks të veçantë për poezinë shqipe që krijohet në Malin e Zi, si dhe për problemet që i shqetësojnë krijuesit letrarë.
Pjesëmarrësit vlerësuan zgjedhjen e mjedisit të veçantë për mbajtjen e takimit, duke ndërthurur artin poetik me trashëgiminë kulturore.
Në fund të takimit, pjesëmarrësit shijuan ushqimet e përgatitura nga familja e pronarit të Muzeut Etnografik – Draginë, z. Hajredin Kovaçi, si dëshmi e kuzhinës tradicionale dhe mikpritjes anamalase.
Shoqata “Art Club” e shënon rregullisht që prej disa vjetësh Ditën Botërore të Poezisë me aktivitete të ndryshme, si takime të poetëve nëpër shkollat shqipe në Malin e Zi, përurime të vëllimeve poetike etj., me qëllimin për t’i dhënë peshën që meriton poezisë dhe krijimtarisë letrare në përgjithësi.