Art klub: ORË PËRKUJTIMORE ME RASTIN E VDEKJES SË IBRAHIM BERJASHIT

Të hënën në Sallën e madhe të Kuvendit të Komunës së Ulqinit u mbajt Ora përkujtimore e organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” me rastin e vdekjes së gazetarit, shkrimtarit dhe poetit Ibrahim Berjashi.

Kryetari i Art klubit Ismet Kallaba tha se Berjashi ishte njëri prej themeluesve dhe kryetari i parë i kësaj shoqate.

Për jetën dhe veprën e Berjashit foli edhe piktori dhe përkthyesi Qazim Muja, kurse në emër të familjes, djali i Ibrahimit, Arbeni.

Ibrahim Berjashi ka lindur në prill të vitit 1948 në Krajë. Aty e ka kryer shkollën fillore, Normalen në Ferizaj, ndërsa ka studiuar Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Si normalist, në vitin 1968, në revistën prestigjoze letrare “JETA E RE, të udhëhequr nga Esad Mekuli, botoi poezinë e parë. Po në atë kohë, bëhet bashkëpunëtor shumë aktiv i emisionit javor shqip të Radio Titogradit, të redaktuar nga Gjergj Gjokaj. Pra, paralelisht, Berjashi nis e merret me letërsi e gazetari. Ka qenë anëtar i redaksisë së revistës KOHA, që botohej në Titograd. Ka bashkëpunuar me të gjitha gazetat dhe revistat letrare në gjuhën shqipe në kohën e shtetit të përbashkët jugosllav. Dy vjet punoi në shkollën fillore “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu” në Krajë, për t’u punësuar në vitin 1973 në Radio Prishtinë. Ndërkohë, në fillim të janarit të vitit 1975 emërohet korrespondent i rregullt i së përditshmes RILINDJA në Mal të Zi. Këtë detyrë e ushtroi deri më vitin 2002, kur kjo e përditshme në mënyrë arbitrare mbyllet përfundimisht. Ndërkohë, ka qenë korrespondent i rregullt i gazetës BOTA SOT, i Radio Shkupit – Programi në gjuhën shqipe, bashkëpunëtor i Agjencisë së lajmeve “Kosovalive”, si dhe i radiove të mërgimtarëve tanë në Australi dhe SHBA. Nga viti 2004 e deri në pensionimin e tij, më 2015, ka punuar në Televizionin Teuta në Ulqin. Në arkivin e këtij televizioni ndodhen intervista, opinione, debate politike, komente, vështrime, reportazhe, dokumentarë televizivë, në mesin e të cilave po përmendi atë për arbneshët e Zarës. Me shoqatën “Harmonia”, të cilën e ka drejtuar, ka organizuar disa edicione të festivalit të grave krijuese.

Për “Art Club”-in kishte një dashuri të posaçme.

Ai i gëzohej çdo suksesi të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, i dukej si rrita e një fëmije që e kishte krijuar vetë.

Që prej themelimit të “Art Club”-it, 35 vjet më parë, e deri në vdekje, ai ka dhënë një ndihmesë të madhe – fillimisht në përcaktimin e misionit të qartë të shoqatës sonë e më pas në organizimet e ndryshme letrare, kulturore e shkencore përgjatë gjithë këtyre viteve.

Në kohën kur Berjashi e ka udhëhequr “Art Club”-in, ka nisur manifestimi letrar “Taverna poetike”, pararendës i manifestimit tradicional “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”, njëri prej manifestimeve më prestigjoz në fushën e letërsisë në hapësirën shqiptare. Ai ka qenë kryeredaktor i revistës “Fati” dhe i gazetës për të përndjekurit nga Kosova “Shpresa”, që janë botuar nga “Art Club”-i. Me këtë shoqatë dhe anëtarët e saj ka organizuar simpoziume, tryeza të rrumbullakëta, protesta.

Berjashi ka lënë trashëgimi me dhjetëra vepra letrare, pjesa më e madhe të botuara me firmën e “Art Club”-it.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi