Artan Kurti: (JO)KOMPETENCA

Artan KurtiPara Gjykatës ekonomike në Podgoricë vijon kontesti gjyqësor që zgjat tash tre dekada i njohur si rasti „K1“, në të cilin si paditës paraqitet kompania „Atlas grup“ e biznesmenit të njohur Dushko Knezheviq, si pasardhës ligjor i kompanisë „Rekreaturs“ SHA Budva, kundër Komunës së Ulqinit, për kompensim të dëmit material me vlerë prej 10,5 milion euro. Me padi kërkohet që pala e paditur të jetë përgjegjëse për dëmin të cilin paditësi e pësoi me prishjen e objekteve, me vlerë të tyre në ditën e prishjes, ku si veprim i dëmshëm konsiderohet nënshkrimi i kontratës së pavlefshme për dhënien e tokës nga ana e organeve të SIZ, pasues ligjor i të cilit është Komuna e Ulqinit.

Pyetja kryesore dhe thelbësore është se: në këtë rast a është me të vërtet kompetente Gjykata ekonomike në Podgoricë? A bëhet fjalë për kontestin i cili rrjedh nga marrëdhëniet e ndërsjella ekonomike, në aspektin e nenit 20 të Ligjit për gjykata? A bëhet fjalë kësaj herë për përgjegjësinë kontraktuese apo jokontraktuese të përgjegjësisë për dëmin? A është Gjykata ekonomike kompetente të gjykojë procesin për përgjegjësinë jokontraktuese për dëmin?

Sipas dispozitave të nenit 20 paragrafi 1 pika 1 të Ligjit për gjykata, për ekzistence të vërtet të kompetencës së gjykatës ekonomike është i nevojshëm plotësimi kumulativ i dy lloj kushtesh, e ato janë: cilësia e palëve në kontest dhe lloji i procesit. Në rastin konkret të dy palët ndërgjyqëse janë persona juridik, por nuk bëhet fjalë për proces i cili sipas llojit të vet bënë pjesë në procese të marrëdhënieve të ndërsjellta ekonomike të personave të përmendur, sepse procesi nuk është krijuar në kryerjen e veprimtarisë të subjekteve afariste, as nuk paraqet pamundësimin e veprimtarisë së tillë. (Shih psh. vendimin e Gjykatës së lartë tregtare në Beograd  Pzh. 13748/08 nga viti 21.12.2005).

Në teori, në mënyrë të drejtë, përgjegjësia kontraktuese duhet të quhet përgjegjësi për dëmin e krijuar si pasojë e shkeljes së detyrimit të mëhershëm ekzistues. Detyrimin kontraktues debitori mund ta shkel në mënyrë të ndryshme: 1. Nëse aspak nuk e plotëson detyrimin, 2. Nëse vonohet në plotësimin e detyrimit ekzistues, 3. Nëse në mënyrë të keqe (parregullt) plotëson detyrimin. Përveç kushteve të përgjithshme të përgjegjësisë për dëmin, duhet të plotësohen edhe dy supozime: ekzistimi i kontratës së rregullt, gjegjësisht detyrimit kontraktues, dhe shkelja e këtij detyrim.

Kreditori ka të drejtë zgjedhjeje dhe mundet të kërkojë ekzekutimin e detyrueshem të detyrimit ose kompensim të dëmit për shkak të vonesës, ose mund të shkëpus kontratën dhe të kërkojë kompensim të dëmit për vonesën, ose mund të shkëpus kontratën dhe të kërkojë kompensim të dëmit në vend të detyrimit të debitorit. Mirëpo, e drejta primare e kreditorit e cila rrjedh nga vet kontrata është të kërkojë respektimin e kontratës, derisa, ta shkëpusë atë mundet vetëm atëherë kur debitorit i lë afat të përshtatshëm shtesë për plotësimin e detyrimit, ndërsa debitori as në atë afat shtesë nuk e plotëson detyrimin, përveç nëse shkëputja nuk vjen sipas vet ligjit.

Me vendimin P.br. 205/83 prej 24.11.1983 është përcaktuar si e pavlefshme Kontrata për dhënien e tokës ndërtimore nga viti 20.09.1979, si vepër e palës kontraktuese SIZ të banimit, punëve komunale, urbanizmit dhe rregullimit hapësinor, si subjekt, asokohe, të pavarur juridik, pasardhës ligjor i të cilit është Komuna e Ulqinit.

Shtrohet pyetja: a ekziston përgjegjësia kontraktuese për dëmin i cili është krijuar pasi që është ndërprerë efekti i marrëdhënieve obligative? Mbizotëron qëndrimi se si përgjegjësi kontraktuese duhet të nënkuptohet vetëm përgjegjësia për shkeljen e detyrimit nga kontrata e cila është e vlefshme dhe prodhon efekt ligjor. Meqë në këtë rast është dëshmuar si e pavlefshme kontrata e përmendur, që kontrata e pavleshme nuk mund të shkëputet dhe as të respektohet, edhe laikët e kanë të qartë se bëhet fjalë për përgjegjësi jokontraktuese për dëmin. Në këtë kuptim është shprehur dhe praktika juridike: „Kontenstin për dëmin jokontraktues e zgjidh gjykata komunale, pavarsisht nga cilësia e palëve“ (VSS. Pi.135/93).

Nga çdo gjë e përmendur, e duke mos hyrë në meritumin e kontestit, është evidente që në këtë rast nuk është kompetente Gjykata ekonomike në Podgoricë, por Gjykata themelore në Ulqin. Mirëpo, prej kohësh është e qartë që ekziston kompetenca për çdo gjë që është në dëm të komunës së Ulqinit dhe qytetarëve të tij, derisa nuk ka kompetencë të anasjelltë. Ekziston kompetenca për grabitjen e ullishtës në Valdanosit, derisa nuk ka kompetencë për kthimin e saj ish pronarëve; ekziston kompetenca për prishjen e hotelit „Galeb“, anasjelltas, nuk ka kompetencë për ndërtimin e tij; ekziston kompetenca për prishjen e hotelit „Lido“, anasjelltas, nuk ekziston kompetenca për pastrimin e Port Milenës si kusht për ndërtimin e hotelit të përmendur; ekziston kompetenca për grabitjen dhe shkatërrimin e „Kripores“, nga ana tjetër nuk ekziston kompetenca për rikuperimin e saj!? DERI KUR?

(Autori është jurist i diplomuar i cili pret ta kryejë stazhin e praktikantit)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi