B. Sella për buxhetin e vitit 2015: STABILITET DHE ZHVILLIM

Beqir SellaBuxheti është njëri ndër dokumentet më të rëndësishëm që nxjerr Komuna dhe i cili përcakton jo vetëm politikën ekonomike, por të gjithë veprimtarinë e saj gjatë një viti. Për këtë arsye, niveli i realizimit të tij është përcaktues për funksionimin normal të organeve dhe institucioneve komunale, por edhe të gjithë qytetit.

Buxheti merr rëndësi akoma më të madhe në këtë kohë krize kur, në mungesë të sigurimit të të ardhurave nga burimet e tjera dhe problemeve të theksuara në funksionimin e tyre, sytë e të gjithëve janë orientuar nga komuna. Duke pasur parasysh të gjitha këto, planifikimi me kujdes i buxhetit dhe përcaktimi i prioriteteve përbën imperativ gjatë përgatitjes së tij.

Para se të flas mbi Projekt-buxhetin e Komunës së Ulqinit për vitin 2015, do të them diçka mbi realizimin e Buxhetit për vitin 2014, i cili në parim duhet të na shërbejë si masë krahasimi për projektimin e Buxhetit për vitin e ardhshëm. Sipas të dhënave, pritet që niveli i realizimit të buxhetit për vitin 2014 të jetë mbi 80 për qind nga shuma e buxhetit të projektuar, që përbën sukses duke pasur parasysh krizën ekonomike-financiare. Njëkohësisht, përbën një nga vitet më të suksesshme sa i përket realizmit të buxhetit të Komunës së Ulqinit në periudhën pas recesionit ekonomik.

Përkundër këtyre rezultateve pozitive, pushteti aktual e ka pasur të pamundur të sigurojë stabilitet financiar për shkak se vuan pasojat e qeverisjeve të mëparshme dhe borxheve të krijuara në të kaluarën. Vetëm në emër të humbjeve të lëndëve të ndryshme gjyqësore nga arka e Komunës së Ulqinit gjatë këtij viti, me sa jam në dijeni, janë marrë rreth 1.3 milion euro. Ju përkujtoj se vetëm për shkak të rastit gjyqësor të njohur si “Partizanski Put”, llogaria bankare e Komunës së Ulqinit ka qenë mbi 50 ditë e bllokuar. Përpos kësaj, Komuna e Ulqinit ka marrë përsipër shlyerjen e borxheve të disa ndërmarrjeve dhe institucioneve publike. Në këto kushte, ka qenë tepër e vështirë që të sigurohet jo vetëm stabiliteti financiar, por edhe funksionimi normal i punës së Komunës së Ulqinit.

E bëra këtë parantezë për të treguar se të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm që në rrethana të këtilla është vështirë që të planifikohet Buxheti. Apo më saktë, që sado mirë që të jetë projektuar Buxheti, realizimi i tij varet jo vetëm nga qeverisja e Komunës, por edhe nga faktorë të tjerë të jashtëm, shpesh herë përcaktues.

Projekt-buxheti i Komunës së Ulqinit për vitin 2015, i parashikuar në shumën 6.94 milionë euro, është hartuar mbi bazën e analizave reale të të hyrave. Ai i ka kaluar të gjitha procedurat e parashikuara ligjore dhe ka marrë pëlqimin e Ministrisë së Financave. Në të po ashtu janë përfshirë një pjesë e mirë e kërkesave dhe sugjerimeve të qytetarëve. Gjëja e mirë është se është vazhduar trendi rritës në krahasim me vitet e kaluara.

Unë nuk do të ndalem në zëra të veçantë të këtij buxheti, por do ta shikoj atë si tërësi.

Mendoj se ky buxhet ofron stabilitet makrofinanciar dhe funksionim normal të organeve të qeverisjes lokale dhe institucioneve publike komunale. Nëse shikojmë strukturën e buxhetit, ai paraqet një balancë ndërmjet mundësive financiare të komunës së Ulqinit dhe nevojave të qytetarëve të saj. Në fushën e investimeve, janë prekur të gjitha lokalitetet e komunës sonë, duke marrë parasysh nevojat prioritare të qytetarëve. Investimet janë investime të vogla, por shumë të domosdoshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Prandaj do të thoja se ky buxhet është zhvillimor në aspektin e infrastrukturës së qytetit, ndërsa për investime më të mëdha kapitale duhet të na ndihmojë qeveria.

Më duhet të theksoj se Qeveria e Malit të Zi viteve të fundit ka investuar mjete të konsiderueshme në përmirësimin e infrastrukturës dhe investime të tjera të rëndësishme në Komunën e Ulqinit. Por përkundër kësaj, Komuna e Ulqinit, edhe pse disponon potenciale të mëdha, është ndër komunat më të pazhvilluara dhe më të varfra në vend. Për këtë arsye nevojiten investime shtesë nga Qeveria në mënyrë që të zvogëlohet pabarazia aktuale në zhvillimin ekonomik-shoqëror. Vazhdimi i investimeve do të kishte ndikim pozitiv me qëllim të valorizimit të potencialeve të mëdha, d.m.th. zvogëlimit të papunësisë dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve.

Në këtë kontekst, e shoh me shumë rëndësi vazhdimin e punimeve të fazës së tretë të rikonstruktimit të rrugës Sukubinë – Ulqin, konkretisht aksit rrugor Krythë – Ulqin, që është planifikuar vitin e ardhshëm. Me përfundimin e saj krijohen të gjitha parakushtet për shfrytëzimin e vendkalimit kufitar Sukubinë – Muriqan edhe për qarkullimin e mallrave ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë. Kjo do t’i kontribuonte zhvillimit jo vetëm të brezit kufitar, por edhe të Komunës së Ulqinit në përgjithësi.

Siç e dimë, kohë më parë është nënshkruar kontrata për ndërtimin e “Aqua Park”-ut në Shtoj nga firma e njohur turke “Polin”. Hapja e tij në sezonin e ardhshëm veror pa dyshim që do të kishte efekte ekonomike pozitive afatgjata për Komunën e Ulqinit.

Gjithashtu, fillimi i ndërtimit të banesave për familjet që jetojnë në vendin ku dikur ishte hoteli “Jadran” krijon parakushtet për ndërtimin e hotelit të ri në këtë vend (Sukë).

Prandaj, unë jam optimist dhe shpresoj që viti i ardhshëm nuk do të jetë vetëm vit i premtimeve, por vit i realizimit të projekteve konkrete.

Duke iu rikthyer edhe një herë Projekt-buxhetit të Komunës së Ulqinit për vitin 2015, meqë vij nga Ana e Malit, e shoh me shumë rëndësi që Komuna e Ulqinit të investojë për rregullimin e qendrës së Katërkollës, duke e shndërruar atë në një qendër të vërtetë urbane, ashtu siç e meriton, për faktin se është qendër e kësaj zone (krahine) dhe nëpër të kalon rruga ndërkombëtare.

Po ashtu është koha e fundit që të fillojë ndërtimi i bazenit për ujë të pijshëm në Brajshë, për të cilin tashmë ekziston edhe projekti. Ndërtimi i tij do të zgjidhte problemin e ujit të pijshëm jo vetëm për banorët e Brajshës, por edhe të banorëve të tjerë të Anës së Malit.

Rregullimi i shtratit të përroit të Brajshës përbën një investim tjetër, jo të madh në të holla, por shumë të dobishëm, i cili do të zgjidhte problemin e dëmeve që shkakton ai.

Në kohën e vazhdimit të krizës ekonomike, duhet të udhëhiqet një politikë fiskale edhe më rigoroze. Unë mendoj se ka vend për vjeljen e të ardhurave shtesë. Nga ana tjetër, ndërmarrjet dhe institucionet publike nuk duhet të shikojnë që problemet e tyre financiare të zgjidhen vetëm nga Komuna, si themelues i tyre, por të bëjnë më tepër për vetekzistencën ekonomike të tyre.

Duke u nisur nga të gjitha këto që thashë më sipër, Projekt-buxheti i komunës së Ulqinit për vitin 2015 do të ketë mbështetjen time dhe unë do të votoj për (pro) të, i bindur se ky buxhet ofron zhvillim të Ulqinit dhe mirëqenie të qytetarëve të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi