Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, ka bërë të ditur se javën e kaluar në emër të vetëqeverisjes lokale ka dorëzuar propozim në Gjykatën Kushtetuese të Malit të Zi për vlerësimin e kushtetutshmërisë së disa dispozitave të Ligjit për të mirat detare.
Ai në një konferencë për media në zyrën e tij tha se është i bindur për suksesin e kësaj nisme.
Po ju përcjellim çfarë tha më Bajraktari.
Kam kënaqësinë t’ju drejtohem sot në lidhje me këtë iniciativë që i dërguam Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi. Ne në Ulqin me dekada flasim për padrejtësinë, përkatësisht diskriminimin ndaj të cilit jemi ekspozuar ne si komunë dhe qytetarët e Ulqinit që nga formimi i Ndërmarrjes Publike për Menaxhimin e të Mirave Detare dhe përcaktimit të vijës të të Mirave Detare. Ku që 30 vite me radhë ndjejmë rezultatet e vendimeve të marra kategorikisht të dëmshme për komunën tonë.
Për fat të keq më duhet të përmend se, pavarësisht nga këto fakte, në Ulqin nuk ka pasur asnjë iniciativë themelore për të ndryshuar këtë situatë në anë ligjore, përveç disa protestave dhe tubimeve të qytetarëve tanë dhe organizatave joqeveritare.
Padrejtësia dhe dëmi që na është bërë dhe po na bëhet, matet jo vetëm me dhjetëra milionë euro, por mbi të gjitha në faktin se ne si vetëqeverisje lokale nuk mund ta planifikojmë dhe drejtojmë vetë zhvillimin tonë. Dhe ky është parimi themelor i Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale. Sipas shkencëtarit të famshëm zviceran Jost Krippendorff, hapësira është mjeti më efektiv në duart e komunës dhe nuk duhet ta lëshojë atë.
Dhe kjo hapësirë kaq e vlefshme në territorin e vetëqeverisjes sonë lokale na është hequr sistematikisht me vendimet e qeverive të atëhershme të Malit të Zi dhe një sërë aktesh nënligjore. Kështu ndodhi që komisionet e formuara ad hoc të përcaktojnë vijën e zonës së të Mirave Detare në Ulqin që përfshin zonën që është dy kilometra larg detit, edhe pse ligji thotë se mund të arrijë “maksimumi gjashtë metra nga vala më e madhe në kohën e stuhisë më të madhe”. Duke gjykuar nga këta ekspertë, ne vazhdimisht jemi duke u përmbytur nga cunami, megjithëse nuk e shohim dhe nuk e ndjejmë atë. Sigurisht, kjo është e pasaktë, por askush nuk e ka vënë në dyshim linjën për tre dekada.
Kështu ndodhi që 57 % e territorit të të Mirave Detare të jetë në Ulqin, dhe në të gjitha komunat e tjera, pra së bashku në Tivar, Budva, Kotor, Tivat dhe Herceg Novi të Malit të Zi, vetëm 43 për qind!
Kjo do të thotë se 3,318.4 hektarë, ose 3.3 milionë metra katrorë, ose sa 13 për qind e territorit tonë, janë në linjën e të Mirave Detare në Ulqin. Madje 10 herë më shumë se, për shembull, në Tivar, ku vetëm 1.3 për qind e territorit të kësaj komune fqinje është në vijën e të Mirave Detare Detare!
Kështu ndodhë absurdi i radhës, shtëpia e njërit prej banorëve tanë nga Ulqini, e cila në kadastër gjendet në të dy komunat, në territorin e Ulqinit është në zonën pronësore e të Mirave Detare, kurse në Tivar nuk është!? Ose se brigjet e lumit Buna janë burime detare, që është një rast unik në botë kurse Kriporja nuk është.
Për këtë arsye në këtë ankesë, duke iu referuar në detaje praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, theksojmë se dispozitat kyçe të Ligjit për të Mirat Detare janë antikushtetuese.
Në bazë të këtij akti juridik diskriminues është përpunuar Plani Hapësinor me Dedikim të Veçantë për zonën bregdetare, në të cilin më pas është shtyrë i gjithë Ulqini. Kujtojmë se Qeveria ka punuar edhe në Planin Hapësinor-Urbanistik të komunës sonë! Siç u theksua në atë kohë, për arsye financiare.
Nëse llogaritet se 150 euro kushton një metër katror tokë në zonën e të Mirave Detare, atëherë vlera totale e saj është gjysmë miliardë euro. Ndërsa kur do të vizatohet, atëherë çmimi i hapësirës rritet në mënyrë drastike. Një breg i detit rreth 33 kilometra të gjatë, gjysma e të cilit janë plazhe me rërë.
Ne kemi qenë dëshmitarë të kësaj lufte të pabarabartë për hapësirën tonë, për ekzistencën dhe dinjitetin tonë, në të gjitha vitet e mëparshme.
Në të njëjtën mënyrë, investimet në zonën e të Mirave Detare në Ulqin ishin shumë më të vogla se në komunat e tjera, kështu që, për shembull, rindërtimi i Moles së Madhe apo përmirësimi i shetitores nga hoteli “Albatros” deri në Kepin e Gjeranës nuk mundet. të përfundojë për vite me rradhë.
Sido që të jetë, kur shikon linjën e të Mirave Detare dhe veprimet e autoriteteve qendrore në dekadat e fundit, është e qartë se bëhet fjalë për dëshirën dhe synimin për të kapur resurset e komunës së Ulqinit në një rrugë kuazi ligjore dhe për t’i menaxhuar ato pa të drejtën e vendimmarrjes nga komuniteti lokal. Nëse dihet se popullsia shumicë në Ulqin është shqiptare, atëherë bëhet fjalë edhe për diskriminim ndaj një kombi pakicë.
Duke pasur parasysh se të drejtat e qytetarëve dhe Komunës së Ulqinit janë duke u shkelur në vazhdimësi për arsyet e lartpërmendura, kërkuam nga Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi që me prioritet të veprojë për këtë nismë tonën. Besojmë se kjo instancë më e madhe gjyqësore në vend do të veprojë në këtë mënyrë dhe do të marrë një vendim të drejtë. Nëse jo, le të shkojmë edhe deri në Strasburg, tha kryetari Bajraktari.