Ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi, Ridi Kurtezi u takua me kryetarin e Ulqinit Omer Bajraktari dhe kryetarin e Kuvendit Ardian Mavriq. Ai uroi udhëheqësinë komunale për detyrën e re dhe riafirmoi qëndrimin e palës shqiptare për të zgjeruar dhe intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat me qytetin e Ulqinit me theks të veçantë në turizëm dhe në fusha të tjera ekonomike, por dhe në kulturë e sport.
Vëmëndje e veçantë iu kushtua projekteve madhore midis dy shteteve siç është ndërtimi i urës mbi Lumin Buna që do të lidhë Malin e Zi me Shqipërinë dhe ajo e hapjes së pikave të tjera kufitare. Bashkëbiseduesit u pajtuan që takimet të intensifikohen dhe qyteti i Ulqinit nëpërmes projekteve konkrete të jetë gjithnjë e më i pranishëm në Unionin e Bashkive Shqiptare por dhe të thellojë bashkëpunimin, veçmas me Bashkinë e Tiranës për shkëmbimin e përvojave dhe qytetet bregdetare të Shqipërisë.