“Në skenën politike të Ulqinit vërehet bashkëveprimi i dy listave politike të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) dhe Forca e Re Demokratike (Forca), të cilat padyshim kanë bërë një marrëveshje të fshehtë bashkëpunimi. Ndonëse e mirëpresim “armëpushimin” ndërmjet tyre, që vjen pas largimit të Forcës nga pushteti lokal një vit më parë, i porosisim se marrëveshjet e tyre janë të kota sepse së bashku do të pësojnë një debakël të thellë zgjedhor. Për momentin, pushteti është vetëm një ëndërr për ta”, tha Omer Bajraktari, kandidat për kryetar komune dhe bartës i listës së koalicionit “Për një Fillim të Ri”.
Bajraktari thekson se gjatë ditëve të kaluara, në të ashtuquajturat debate publike në një televizion partiak, qytetarët kishin mundësi të shohin sinkronizimin e forcave ndërmjet këtyre dy listave humbëse. Prandaj, sipas tij, nuk befason shkalla e lartë e pajtueshmërisë që ato tregojnë për çështjet kyçe që kanë të bëjnë me zhvillimin e qytetit, sepse bëhet fjalë për aleatë të kahershëm.
“Koalicionin e Forcës dhe PDS-së e bashkon vetëm xhelozia dhe urrejtja ndaj një njeriu me të cilin krenohet Ulqini dhe çdo njeri që e donë të vërtetën – Dr. Dritan Abazoviqit, i cili është kryeministri i ardhshëm i Malit të Zi. Mendojmë se është me rëndësi të njoftojmë qytetarët e Ulqinit dhe shumë votues të Forcës për faktin se partia e tyre ka nënshkruar marrëveshje sekrete me PDS-në, të vetëdijshëm se votuesit e Forcës nuk e përkrahin marrëveshjen politike me partinë që e shkatërroi Ulqinin”, tha Bajraktari.
Bajraktari konkludon se do të ishte e ndershme dhe e drejtë që lidershipi i Forcës t’ia sqarojë këtë fakt qytetarëve në mënyrë transparente, sepse nuk është bukur të lidhen marrëveshje të fshehta, kundër vullnetit të votuesve të vet.