Bajraktari: Jemi në rrugën e duhur për të siguruar që Ulqini jonë dhe gjeneratat e reja të kenë vendin që meritojnë

Kryetari i Komunës së Ulqinit Omer Bajraktari paraqiti dje në Kuvendin komunal Raportin për punën e kryetarit të Komunës së Ulqinit dhe organeve dhe shërbimeve të administratës lokale për vitin 2022, i përgatitur në përputhje me dispozitat e përcaktuara me nenin 58 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale.

Edhe pse ky raport nuk është një raport i plotë i punës së pushtetit aktual, pasi pushteti u formua në qershor të vitit të kaluar, mund të flasim për një vit shumë të suksesshëm. Pushteti i ri është pushteti i parë në Ulqin i cili ka ardhur pas ndryshimeve në nivelin shtetëror të një pushteti që zgjati dekada dhe ishte bërë barrë e rëndë për qytetarët.

Kjo periudhë mund të cilësohet si një kohë e drejtuar drejt Komunës së Ulqinit, si një periudhë e zhbllokimit të punëve të cilat me apo pa arsye nuk lëviznin për dekada, duke e bërë qytetin tonë të vetmen komunën të varfër në bregdetin e Malit të Zi, një periudhë kur Ulqini fitoi vëmendjen e duhur nga Qeveria e Malit të Zi, një periudhë e fillimit të ri.

Viti i kaluar u karakterizua nga përmirësimet në të gjitha fushat dhe veprimet e vetëqeverisjes lokale.

Edhe pse filluam gjysmën e vitit të kaluar, përkundrejt shumë vështirësive, kemi arritur ta realizojmë buxhetin e Komunës në masën prej 13,734,965.31 euro, që ishte rekord në atë kohë. Buxheti i këtij viti do ta tejkalojë këtë shumë.

Është bërë riorganizimi i administratës dhe tani nga kjo distancë kohore mund lirisht të konstatoj se ishte shumë i qëlluar. Sekretariatet e reja kanë afruar Komunën me qytetarët duke lehtësuar komunikimin dhe procedurat. Këtu do të veçoja punën e Sekretariatit për investime si dhe Sekretariati për Bujqësi, Zhvillim Rural dhe Ekologji, i cili me aktivitetet e veta, si panairin “Shporta e vjeshtës” dhe shënimin e “31 vjetorit të shpalljes së Malit të Zi shtet ekologjik”, ka sjellur frymë të re në Komunë. Në Komunën e Ulqinit, për herë të parë është hapur thirrja publike për mbështetjen e prodhuesve bujqësorë, dhe kjo vazhdon edhe në këtë vit.

Komuna e Ulqinit në kontinuitet ka përkrahur çdo manifestim kulturor, sportin dhe OJQ-të. Bursat për shkollimin e studentëve janë dyfishuar në vlerë, duke u rritur nga 60 në 120 euro.

Viti i kaluar shënoi edhe finalizimin e punës në Projektin për përmirësimin e furnizimit me ujë – faza V të bregdetit malazez në Ulqin, me Bankën Gjermane për Zhvillim – KFW, ku kemi punuar me përkushtim në përshpejtimin e procedurave të cilat ishin të ngarkuara me birokraci dhe zvarritje të panevojshme. Siç jeni dëshmitarë, ky projekt sot po realizohet. Ngjarja kyçe e vitit 2022 është nënshkrimi i kontratës më datë 20 korrik 2022, me kontraktuesin “Jedinstvo”. Me implementimin e këtij projektit, Ulqini në mënyrë permanente do të zgjidhë problemet e shumta në furnizimin me ujë dhe trajtimin e kanalizimit.

Jemi duke punuar për krijimin e kushteve për fazën e dytë të këtij projektit, për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza dhe infrastrukturës ndërlidhëse. Ministria e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit nënshkroi kontratën për grantin me të cilin do të bëhet përditësimi i studimit të fizibilitetit për fazën e dytë.

Viti i kaluar shënoi gjithashtu realizimin e projektit të ndërtimit të infrastrukturës në Komunën e Ulqinit – ndërtimi i rrjetit të kanalizimit në lagjet Kodra, Mali i Bardh, Totosh dhe Braticë Poshtë, vendbanime që gravitojnë në Port Milenë, me vlerë 3,364,738.45 €, duke e bërë që kanali i Braticë të mos jetë më pikë neuralgjike për sa i përket ndotjes së mjedisit.

Viti 2022 u shënua nga një sezon turistik rekord dhe i organizuar jashtëzakonisht mirë. Janë rikonstruktuar dhe asfaltuar akset rrugore dhe rrugët lokale, si dhe ka nisur procesi për ndërtimin e bulevardit “Nënë Tereza”, i cili do të lidhë bulevardin “Skënderbe” me bulevardin “Teuta”. Ka filluar procedura e shpronësimit për rindërtimin e një pjese të aksit rrugor Krythë – Ura e Mërkotit. Gjendja financiare është stabilizuar dhe janë krijuar parakushtet për projekte të mëdha infrastrukturore që do të tërheqin investitorët e huaj. Situata në sektorin publik, veçanërisht në ndërmarrje dhe institucione të themeluara nga Komuna, është financiarisht e qëndrueshme.

Nga projektet e tjera, dëshiroj të përmendi krijimin e kushteve për ndërtimin e 3 hoteleve të reja të kategorisë më të lartë në Ulqin – ndërtimin e hotelit të ri Galeb, hotelit Hilton në kepin Suka dhe hotelit Otrant Reefs në Plazhin e Madh.

Sigurisht, një projekt i cili do të ndryshojë dukshëm fatin e Komunës së Ulqinit është projekti i urës së re në Bunë dhe pika kufitare me Shqipërinë Shën Kollë – Pulaj. Me këtë, Ulqini fiton rëndësi, sepse bëhet qendër rajonale, pjesë e rrugës që lidh Evropën Perëndimore dhe Juglindore. Ura e gjatë 310 metra e shkurton rrugën Ulqin-Velipojë nga 70 kilometra që janë aktualisht në vetëm disa kilometra. Afërsia e aeroporteve ndërkombëtare, veçanërisht e atij të Tiranës, hap tregje të reja turistike për Ulqinin.

Ulqini do të shëndrohet në qendër rajonale për trajnimin dhe stërvitjen e ekipet sportive me ndërtimin e qendrës sportive dhe stadiumit modern multifunksional në Plazhin e Madh. Qendra sportive do të ndërtohet në një sipërfaqe prej përafërsisht 78,000 m2, të cilën Qeveria e Malit të Zi ia ka dhënë Komunës së Ulqinit. Ajo do të ketë stadium për 3000 spektatorë, të tipit multifunksional për sportet në natyrë si futboll, atletikë, hendboll, basketboll, tenis, volejboll plazhi, pistë për vrapim dhe pistë shëndetësore, si dhe një pistë për biçikleta dhe kalërim.

Hapja e pikës kufitare “Porti i Ulqinit” nën Kalanë e Ulqinit gjithashtu mund të cilësohet si një fillim i ri në lidhjet detare mes Ulqinit dhe qendrave të tjera në detin Adriatik dhe Mesdhe.

Shfrytëzoj rastin për të falenderuar Kuvendin Komunal të Ulqinit dhe të gjithë këshilltarët për bashkëpunim dhe efikasitet në aprovimin e vendimeve të ekzekutivit, bashkëpunëtorët e mi në Kabinet, të gjithë sekretarët e sekretariateve dhe udhëheqësit e shërbimeve, drejtorët e ndërmarrjeve publike dhe institucioneve të themeluar nga Komuna, organizatat joqeveritare dhe të gjithë qytetarët.

Një falenderim të veçantë i drejtoj Qeverisë së Malit të Zi dhe Kryeministrit Dritan Abazoviq për përkrahje të vazhdueshme për projektet në komunën tonë.

Jemi në rrugën e duhur për të siguruar që Ulqini jonë dhe gjeneratat e reja të kenë vendin që meritojnë. Sepse e duam Ulqinin dhe jemi të vendosur ta përmirësojmë dhe zhvillojmë atë për të ardhmen tonë të përbashkët!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi