Deri në fund të këtij muaji, gjersa zgjat periudha e seancave të rregullta, do të mbahet edhe një mbledhje e Kuvendit të Komunës së Ulqinit.
Kryetari i Këshillit Komunal të Lëvizjes Qytetare URA dhe këshilltari në parlamentin lokal Omer Bajraktari tha se me këtë rast në rend të ditës duhet të jenë një sërë çështjesh të rëndësishme.
“Këtu, para së gjithash, mendoj për shqyrtimin e Llogarisë Përfundimtare të Buxhetit për vitin e kaluar, informatën për realizimin e buxhetit në gjysmën e parë të këtij viti, programin e rregullimit hapësinor për këtë dhe vitin e kaluar, shfrytëzimin e kredisë të KfW bankës”, tha ai.
Sipas fjalëve të tija, pika të veçanta të rendit të ditës duhet të jenë shqyrtimi i Propozimit të Planit Hapësinor me Dedikim të Veçantë për Zonën Bregdetare, si dhe planit për Modulin 1 në Plazhin e Madh, për të cilët qytetarët e Ulqinit treguan interesim të madh.