“Për të vazhduar në rrugën e suksesit dhe zhvillimit të përgjithshëm të sportit në komunën tonë, me krenari njoftojmë anëtarët, tifozët dhe miqtë e Klubit të Futbollit ‘Otrant Olympic’ se klubi ka marrë një sponsor të ri gjeneral”, bëri të ditur në profilin e tij në FB kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari.
Ai tha se ka qenë kompania Sunny Palace, e cila si pronare e re e truallit të ish-hotel “Galeb” ka dhuruar fonde të konsiderueshme për klubin tonë të futbollit.
Bajraktari shtoi se ky donacion sigurisht që nuk do të ishte i mundur pa përfshirjen e Qeverisë së Malit të Zi dhe vetë kryeministrit, Dr Dritan Abazoviq.
Kurse presidenti i KF “Otrant Olympic” Skender Rexha është shprehur i kënaqur që klubi ka marrë sponsor gjeneral.
“Falënderoj Sunny Palace, kryeministrin Abazoviq dhe kryetarin Bajraktari për angazhimin e tyre të madh ndaj klubit tonë. E gjithë kjo na obligon më tej në klub që të punojmë edhe më shumë në të ardhmen dhe të arrijmë rezultatet edhe më të mira në fushën sportive”, tha ai.