Gabimet e administratave vendore i kushtojnë shtrenjtë qytetarëve të Ulqinit. Gabimet e tilla, me apo pa qëllim, bëhen për vite të tëra dhe kanë diçka të përbashkët, e ajo është mungesa e përgjegjësisë pas humbjes së proceseve gjyqësore, nga ajo funksionale deri tek ajo politike. Është problem edhe se Komunën shumë më tepër e padisin sesa ajo paditë të tjerët, si dhe mungesa e madhe e transparencës në proceset gjyqësore, gjegjësisht mosinformimi i opinionit mbi të gjitha fazat e proceseve gjyqësore. Mbingarkesa dhe (pa)aftësia kadrovike e organeve për mbrojtjen e pronës shtetërore, raportimi transparent i të gjitha elementeve të kontesteve gjyqësore, si dhe cilët janë gabimet që më së shumti shkaktojnë humbjen e proceseve, ndoshta janë pyetjet kyçe rreth kësaj problematike e cila të gjithëve na kushton shumë.
Buxheti i Komunës së Ulqinit në dhjetë vitet e fundit përjetoi goditje të rënda nga gjykatat vendase, mbi bazën e proceseve të humbura zgjedhore. Për fat të keq, asnjë udhëheqësi e Komunës nuk e hartoi informatën apo raportin konkret mbi të gjitha proceset e humbura dhe me të gjitha informatat e rëndësishme – nga kostoja i proceseve dhe kamatave e deri tek shpenzimet gjyqësore dhe të dhënat tjera relevante.
Madje, asnjë informatë nuk është përgatitur dhe as shqyrtuar në ndonjë mbledhje të parlamentit lokal në Ulqin. Kërkesat për shqyrtimin e raporteve të tilla disa herë u parashtruan në mbledhjet e kolegjiumit të Kuvendit të Komunës, por edhe në seancat e Kuvendit. Përkundër situatës kronikisht të keqe në Komunë, e cila pjesërisht është frutë i vendimeve gjyqësore, opinioni dhe Parlamenti nuk kishin mundësi të informohen më hollësisht.
Sipas të dhënave jozyrtare, nga viti 2014 deri më sot rreth 10 milion euro janë paguar nga buxheti vendor për proceset e humbura gjyqësore. Kjo është një shumë e madhe financiare dhe kryesisht bëhet fjalë për kontestet të cilët i kanë rrënjët në shekullin e kaluar, gjegjësisht bëhet fjalë për procese të cilët u iniciuan para më shumë se 30 vjetësh. Duhet theksuar se gjatë tërë këtyre viteve Komuna e Ulqinit, përkatësisht sekretariati kompetent për punët e buxhetit asnjë vit nuk ka planifikuar shpenzimet mbi këtë bazë. Po ashtu, pagesa e vendimeve të tilla, përkatësisht të pagesave të detyruara, evidentohen në kategorinë “Pagesa e borxhit nga periudha paraprake”. Kjo tregon se edhe tek pagesat e detyruara të proceseve të humbura gjyqësore vazhdohet raportimi jotransparent mbi humbjet e mëdha financiare, përkatësisht të kategorive të ndryshme, siç janë shpenzimet e zgjidhjeve jashtëgjyqësore, shpenzimet e pagesave të detyruara, pagesat mbi bazën e aktgjykimit, kompenzimet mbi bazën e aktgjykimit, pagesat për zgjidhjet jashtëgjyqësore të cilat janë grupuar dhe regjistruar në mënyrë tejet problematike.
Të gjitha proceset e humbura gjyqësore kanë shkaktuar pasoja të mëdha ndaj buxhetit tashmë të varfëruar të Komunës së Ulqinit. Dhjetë milion euro për një periudhë shtatë vjeçare është presion i madh ndaj financave publike vendore, dhe shtrohet pyetja se sa kohë nevojitet që këto humbje të tejkalohen. Mungesa e këtyre 10 milionëve ndoshta më së shumti vërehet tek rregullimi i keq komunal, përkatësisht me mungesat e shumta në infrastrukturën e qytetit. Asnjë projekt i rëndësishëm kapital nuk është bërë për këtë periudhë dhe as nuk është investuar në mirëmbajtjen e infrastrukturës ekzistuese. Praktikisht, infrastrukturën e qytetit, nga parkingjet, ndriçimi publik, rrugët dhe trotuaret, e deri tek kanalizimi e kanë “ngrënë” proceset gjyqësore. Pjesërisht, me shumë mundësi edhe korrupsioni dhe padituria e madhe.
Patjetër, procesi më i madh gjyqësor i cili njëkohësisht tërhoqi vëmendjen më të madhe të opinionit është rasti “K1”, vlera e të cilit, me kamata, ishte 6,5 milion euro. Kjo lëndë është paguar në vitin 2019 dhe është plotë me rrjedha dhe vendimi kontroverse të cilët kanë ngjarë gjatë gjykimit i cili zgjati disa dekada.
Mendoj se ky proces mund të shihet nga tre këndvështrime apo dimensione.
I pari është padyshim ai ekonomik, duke marrë parasysh vlerën e procesit. Vet fakti se vlera e procesit gjyqësor është bukvalisht e barabartë me një buxhet vjetor të Komunës tregon në të vërtet dëmin e plotë të cilin ky proces ia shkaktoi financave publike vendore. Për një komunë si ajo e Ulqinit, e cila konsiderohet komuna më e varfër në Bregdetin e Malit të Zi, ky proces paraqet goditje të rëndë dhe do të ndjehet me vite të tëra në shpenzimet publike, përkatësisht në financimin si të shpenzimeve rrjedhëse ashtu edhe të atyre kapitale. Praktikisht ky është i vetmi shembull në Mal të Zi ku një komunë ishte e bllokuar për vlerën e cila paraqet një buxhet vjetor! Këtë e konstatoi edhe Institucioni Shtetëror i Auditimit i cili bëri Raportin e Auditorit të Llogarisë Përfundimtare të Komunës së Ulqinit për vitin 2018. Në këtë raport, në pjesën e cila ka të bëjë me proceset gjyqësore, konstatohet se ky proces në masë të madhe do të rëndojë funksionimin e vetëqeverisjes vendore.
Rikujtoj se vitin 2019 e shënoi rritja e fuqishme ekonomike në Mal të Zi, por edhe të ardhurat rekord nga turizmi. Mirëpo, kjo nuk u reflektua në buxhetin e Komunës së Ulqinit dhe kryesisht për arsye të rastit “K1”. Ky epilog gjyqësor, duke e shikuar tani nga perspektiva e kohëve të pasigurta, praktikisht dha goditjen akoma më të fuqishme financave publike dhe pasojat më të rënda do t’i shkaktojë infrastrukturës së qytetit.
Dimensioni i dytë është ana juridike e këtij procesi. Ekzistojnë shumë mendime të ekspertëve juridike se ky ishte shembull tipik i korrupsionit i cili, duke e shikuar diferencën e kërkesave për dëmshpërblim, më shumë i ngjante pazarit. Kërkesat për dëmshpërblim kanë variuar nga një deri në 10,5 milion euro, dhe u kthyen në 6,5 milion, sipas aktgjykimit të fundit.
Po ashtu, më shumë se kontestues është fakti, përkatësisht mënyra në të cilën disa persona, të cilët emigruan nga Kosova në vitin 1999, arritën ta riregjistrojnë kompaninë “Rekreaturs”, e cila e kishte selinë në Prishtinë dhe të bëhen pronarë të pronës së vlefshme në Bregdetin e Malit të Zi. Ajo më herët ishte në pronësi të asociacionit të punëtorëve të Kosovës, ku përveç procesit rreth “K1” ishte edhe vendbanimi turistik “Kamenovo”, afër Budvës. Këtë kompani në vitin 2002 e bleu në bursë “Atlas grupi” i biznesmenit Dushko Knezheviq për 60.000 euro.
Dimensioni i tretë i këtij procesi është ai politik. Prej vitit 2016 pushtetin lokal e përbën koalicioni i madh i partive shqiptare me PDS-në, me përkrahje të madhe në parlamentin lokal (30 nga 33 këshilltarë). Asnjëherë PDS-ja nuk e kishte fuqinë më të madhe në nivel vendor, por as në nivel shtetëror dhe ishte i pritshëm angazhimi më i madh i të gjithë pjesëmarrësve ndaj këtij problemi i cili në vitin 2015 u kthye për rishqyrtim. (Në veçanti për arsye se në këtë periudhë u prishën marrëdhëniet me Dushko Knezheviqin). Kjo do të thotë se procesi i përsëritur u përputh me eksperimentin politik në Ulqin, përkatësisht me formimin e koalicionit të madh.
Mirëpo, vijoj administrimi shumë i papërgjegjshëm dhe i keq i qytetit, e sidomos kur bëhet fjalë për këtë proces gjyqësor. Sepse, askush nuk u morr seriozisht me këtë rast as në nivel vendor e as në nivel shtetëror. Të gjithë apelet e opinionit dhe të opozitës u refuzuan nga pozitat e fuqisë.
Madje, Komuna e Ulqinit u nënçmua me mënyrën se si iu deshtë ta paguajë një pjesë të kontestit. Rikujtoj se kjo gjë është bërë me shitjen e patundshmërisë Qeverisë së Malit të Zi e cila, rusisht ose jo, u gjete në Pyllin e Pishave, në hapësirën e cila u mbrojt nga urbanizimi vulgar gjatë dekadës së fundit.
Sidoqoftë, “K1” dhe proceset tjera gjyqësore me elementet e korrupsionit ishin pengesë serioze e zhvillimit të komunës tonë. Çmimi i këtyre proceseve për Komunën e Ulqinit ishte shumë më i lartë se vlera e paguar, sepse shpenzimet e investimit dhe mirëmbajtjes rriten për shkak të mosmirëmbajtjes së tyre. Infrastruktura lokale ka efekt multiplikativ të cilin Ulqini nuk e arriti, përkatësisht të jetë vend tërheqës për investitorët cilësor nga cilido sektor.
Nga arritja e pavarësisë së Malit të Zi, kishim dy periudha të rritjes ekonomike dinamike: e para, nga viti 2006 deri në 2010, dhe i dyti nga viti 2015 deri në vitin 2020. Ulqini nuk i kapi “erërat e mira”, ndërsa arsyet janë identike: administrimi i papërgjegjshëm, arroganca dhe korrupsioni.
Omer Bajraktari
(Autori është këshilltar shumëvjeçar në Parlamentin e Ulqinit)
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e OJQ “Ul info” dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e BE-së, Ministrisë së Administratës Publike ose QAQ-së, B filmit, Fondacionit SHARE dhe IPFP-së.