Menaxheri i komunës së Ulqinit Omer Bajraktari ka paralajmëruar që, me qëllim racionalizimin e konsumit të energjisë elektrike, administrata lokale në ditët e ardhshme do të iniciojë aksionin e gjerë të heqjes së kyçjeve ilegale.
Sipas elaboratit të cilin e punoi komisioni profesional, kyçjet ilegale në ndriçimin publik i kushtojnë komunës së Ulqinit rreth 60.000 euro në nivel vjetor.
“Kjo është shumë e konsiderueshme për këtë komunë. Njëkohësisht kjo është e padrejtë kundrejt paguesve të rregullt. Për këtë arsye, nëse do të ketë nevojë dhe nëse ky apel nuk ka sukses, do të shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat ligjor për sanksionimin e një dukurie të tillë, duke përfshirë këtu edhe paditë penale”, paralajmëroi Bajraktari duke shtuar se Komuna ka planifikuar që, pas heqjes së kyçjeve ilegale, të vendos ndriçim publik me konsum efikas të energjisë i cili do të zvogëlonte ndjeshëm sasinë e rrymës së shpenzuar elektrike.