Pas përfundimit të procedurave të tenderit, këto ditë pritet nënshkrimi i kontratës me kontraktuesin e punimeve për rregullimin e Moles së Madhe në zonën e Të Mirave Detare.
Kontraktuesi i punimeve do të jetë kompania SHPK Erlang, kurse investimi për fazën e parë kalon shifrën prej 800 mijë euro, ndërsa me fazën e dytë investimi kap vlerën afër një milion euro, tha koordinatori për Ulqin dhe Tivar, Omer Bajraktari.
Siç tha, dedikimi i planifikuar i kësaj hapësire e cila përfshinë 4.600 metër katror është shesh/skelë me rripin e gjelbër pranë shkëmbinjve poshtë Kalasë.
“Po ashtu, parashihet vendosja e tre objekteve për shërbime. Këto objekte mund të përdoren në mënyra të ndryshme, mirëpo, sipas meje, prioriteti kyç është se njëri nga to duhet të jetë pika e parë kufitare në det në Ulqin. Edhe objektet tjerë duhet të jenë të lidhur me veprimtarinë e detit, për shembull, Yachting club, shkollë lundrimi dhe të ngjashme. Një objekt do të ishte i vendosur pranë skenës verore, i paraparë për vendosjen e rekvizitave, por edhe i tillë që kur hapet të formohet skena, të varet projektori, etj.”, shtoi Bajraktari.
Ai theksoi se afati për përfundimin e punimeve është 120 ditë.