Në redaksinë tonë mbërriti deklarata e kryetarit të KK LQ URA Ulqin Omer Bajraktarit, të cilën e përcjellim në tërësi.
Në tërësi e përshëndesim dhe e përkrahim iniciativën e nënkryetarit të Qeverisë nga radhët e opozitës i cili, brenda Qeverisë, ka iniciuar çështjen e respektimit të kontratës për ish hotelin „Galeb“.
Të gjithë e dijmë që ky hotel ishte simbol i turizmit të Ulqinit, por, për fat të keq, sot është simbol i politikës së gabuar zhvillimore të cilën Qeveria e ka bërë ndaj Ulqinit, e të cilën me këmbëngulje vazhdon ta bëjë. Këtë e pohojnë shumë tregues, por është e mjaftueshme të përmendim vetëm shkallën e papunësisë.
Me inicimi e çështjes së hotelit „Galeb“ brenda Qeverisë, sipas neve, tregohen dy gjëra: e para, që PDS-ja dhe partitë e pakicave nuk janë të interesuar të merren me dështimet e privatizimit në komunë të Ulqinit, të cilët janë të shumtë: Galebi, Lido-ja, Jadrani, Kriporja…, gjegjësisht që ato janë të preokupuar me interesat personale. E dyta, që vetëm me ndryshime politike në Mal të Zi mund të vijë deri tek shkëputja e kontratave të dëmshme dhe deri tek sjellja e investitorëve serioz në komunën tonë.
Jemi të sigurt që me ndryshime politike në Mal të Zi më së shumti do të përfitonte komuna e Ulqinit, e cila do të lirohej nga sjellja indiferente e Qeverisë ndaj problemeve të qytetarëve të Ulqinit.
Jemi të bindur që ndryshimet e tilla, pavarsisht si mendon dikush, mund t’i bëjë vetëm Lëvizja qytetare URA.