Fjala përshëndetëse e kryetarit të Ulqinit, Omer Bajraktari, në seancën solemne të parlamentit lokal me rastin e Ditës së Komunës.
Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që në emër të Komunës së Ulqinit dhe në emrin tim personal t’ju uroj mirëseardhjen dhe t’ju falënderoj përzemërsisht që me pjesëmarrjen tuaj enderuat këtë festë tonën.
Kam kënaqësi të posaçme që sot është me ne presidenti i Malit të Zi, zotëri Jakov Milatoviq, që me punën e tij të deritashme tregoi se është i denjë për atë detyrë.
Si para tre vitesh kur ishte ministër dhe para një viti gjatë fushatës zgjedhore, ashtu edhe tani, para ardhjes në Ulqin,ai tha: Dua të vizitoj Kalanë. Sepse, kjo tërësi unike arkitekturore dhe ambientale dëshmon për ekzistencën tonë mijëravjeçare, për qëndrueshmërinë tonë në këtë pjesë të mrekullueshme të Mesdheut, për shtresat tona civilizuese dhe kulturore që gërshetohenharmonishëm. Ky është kapitali ynë më i madh shoqëror dhe zhvillimor, bashkë me njerëzit punëtorë dhetë vyeshëm, që janë pasuria e vërtetë e qytetit tonë.
Kjo udëshmua për më pak se dy vjet, gjatë administrimit tonë të Komunës, kur, pa modesti e them, Ulqini u rilind praktikisht. Jam tej mase krenar që nuk mbjellim përçarje, as s’i shamatojmë njerëzit; që nuk thurim intriga, as nuk krijojmë iluzione. Prandaj është bërë fare normale që fryma e bashkimit dhe bashkëpunimit të frymohet kudo, njëjtë sikurse ajri i detit.
Një ekip të rinjsh, i mbështetur fuqishëm nga partitë në pushtet, ia doli që për një kohë tëshkurtë, me shumë punë vetëmohuese, me përpjekje të mëdha dhe energji krijuese, të kthejë një faqe të re, më të bukur në historinë e kësaj komune. Sot Ulqini është një qytet që po zhvillohet shpejtazi dhe me stabilitet, me financa publike të konsoliduara, ku numri i banorëve po rritet, ku njerëzit duan të vijnë, një qytet nga ku përhapen lajmet e mira.
Prandaj, ne në vetëqeverisjen lokale jemi shumë të lumtur, sepse ky qytet,bashkë me qytetarët dhe qytetaret e tij, e meritoi këtë gjë pas dekadash ngecjeje dhe dështimesh. Është gjynah, gjynah i madh, të mos shfrytëzosh këto burime, njerëz dhe këtë traditë.
Të them të drejtën, puna jonë s’ishte dhe s’është e vështirë. Sepse, kur punoni me zemër dhe dashuri për qytetin tuaj, sidomos kur rezultatet janë të dukshme dita-ditës, kur shihni njerëz të kënaqur rreth jush, ndjeni iniciativën dhe dëshirën për të kontribuar për të mirën e përbashkët, atëherë edhe ju rriteni në këtë valë të lumturisë, optimizmit dhe shpresës.
Kjo është arsyeja pse gjithçka është e kollajshme dhe e thjeshtë, edhe pse ka shumë sfida. Ashtu si Ulqini është i madh me sipërfaqe, ashtu edhe nevojat e qytetarëve janë të ndryshme. Por gjithçka është më e lehtë kur ata e dinë se mund të mbështeten në Komunën e tyre, qëllimi kryesor i së cilës është të kujdeset për njerëzit!
Një shoqëri mbahet gjallë nga vlerat morale, si solidariteti, humanizmi, bamirësia. Kjo ndjehet më së miri në këto ditët e madhërueshme të agjërimit dhe të pastrimit shpirtëror. Mirëpo, menjëherë na pret një sfidë e re – sezoni turistik, nga i cili varemi të gjithë ne.
Ne jemi përgatitur mirë për të: së pari, duke investuar në përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësisë së ofertës sonë. E kam fjalën për punimet ndërtimore në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, të cilët financohen nga fondet e bankës gjermane KfW dhe fillimin e ndërtimit të kompleksit luksoz turistik Otrant Reefs në Plazhin e Madh. Shuma e investimeve që po kryhen sot për sot në Ulqin kap vlerën e 100 milionë euro.
Tashmë mund të themi se sezoni i ardhshëm do të jetë i mirë dhe i bereqetshëm, por për shkak të konkurrencës së madhe do të duhet të luftojmë për çdo mysafir. Përparësitë tona vazhdojnë të jenë siguria e destinacionit, cilësia e shërbimeve, çmimet e favorshme, mirësjellja e njerëzve, lidhja e mirë me tregjet rajonale.
Mirëpo, s’ka nevojë të shqetësohemi për të ardhmen e turizmit tonë, sepse, siç tregojnë të dhënat e vitit të kaluar, pothuajse një e treta e mysafirëve tanë janë të rinj të moshës 18 deri në 30 vjeç. Kërcënimi më i madh janë ndërtimet ilegale dhe të tepruara, gjegjësisht imperativi që Ulqini të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të përgjegjshme.
Theksoj se s’ka asnjë investitor, të vogël ose të madh, që nuk është respektuar maksimalisht nga kjo administratë vendore. Dyert tona janë gjithmonë të hapura për ta, si edhe për çdo qytetar dhe qytetare.
Ne dëshirojmë që të gjitha vendimet e rëndësishme për të ardhmen e Ulqinit të merren në qytetin tonë. Për këtë arsye, në mes të tjerash, kemi dorëzuarankesën në Gjykatën Kushtetuese, që Ulqini, si komunat e tjera në bregdet, të administrojë territorin e tij dhe të planifikojë zhvillimin në të ashtuquajturën „zonën e të mirave detare“. Ajo zë 13 për qind të territorit tonë, kurse në Tivar 10 herë më pak. Në Ulqin shtrihet në 33 milionë metra katrorë, në Budvë 15 herë më pak. Prandaj presim që Gjykata Kushtetuese të konfirmojë këto fakte për trajtimin e pabarabartë, përkatësisht për diskriminimin që i është bërë komunës së Ulqinit për plotë 30 vjet me radhë.
Me zemër të plagosur, këtë vit festojmë nëntë dekada nga themelimi i Kripores, kompanisë që ndërtoi Ulqinin modern së bashku me ndërmarrjen “Riviera e Ulqinit”. Me mbështetjen e partnerëve të huaj dhe të Qeverisë së Malit të Zi, po punojmë për formimin e një kompanie të re, me qëllim që të rifillojë prodhimi i kripës dhe të ruhet biodiversitetit unik në këtë zonë.
Me kënaqësi të veçantë mund të them se në Ulqin s’është investuar kurrë kaq shumë në sport, arsim, kulturë dhe bujqësi, investim që po na kthehetqë tani përmes sukseseve të sportistëve, studentëve, krijuesve dhe fermerëve tanë.
Aty është edhe diaspora jonë e vyeshme, gjithmonë e gatshme për të ndihmuar. Tani është ndoshta momenti më i mirë, në këtë kohë trazirash në botë, që të gjithë ata që munden, të kthehen në qytetin e tyre.
Dhe që, tani dhe këtu, vëllazërisht dhe bashkërisht, ta ndërtojmë Ulqinin tonë. Të gjithë mërgimtarët tanë thonë se gjithkund është bukur, por s’ka më bukur se në Ulqin! Sepse Ulqini e ka shpirtin e gjerësa deti; aiështë si ulliri: sa herë t’i kthehemi, na pret si nana, krahëhapur!
Të dashur ulqinake dhe ulqinakë, kudo që jeni: gëzuar festën! Urime të gjithë njerëzve vullnetmirë, atyre që e kanë Ulqinin në zemër, të gjithë atyre që në çfarëdo mënyre janë të lidhur me qytetin tonë, që vijnë këtu dhe veçanërisht atyre që kthehen këtu.
Ju faleminderit shumë! Rrnofshi, ashtu si rron Ulqini për mijëra vjet, me lavdi dhe dinjitet!