Fjala përshëndetëse e kryetarit Omer Bajraktari në manifestimin “Loja e Ivanit në Ulqin”.
Është nder i madh për mua që në emër të Komunës së Ulqinit t’ju përshëndes të gjithëve. Ju uroj të ndiheni mirë, të shijoni qytetin tonë dhe të ktheheni përsëri tek ne.
Sepse, gjatë gjithë historisë së tij prej 25 shekujsh, ky qytet i vogël por me zemër të madhe ka qenë gjithmonë i hapur, i njohur për tolerancë dhe mikpritje, një qytet i bërë i famshëm nga marinarët, tregtarët, sipërmarrësit dhe njerëzit e mirë.
Njëri prej tyre është padyshim bashkëqytetari ynë, i apasionuar pas sportit, z. Pajo Pepgjonoviq, me nismën e të cilit jemi mbledhur të gjithë sot këtu.
Pajo jeton për sportin, për komunitetin, dhe prandaj ia doli me atë që askush nuk e bëri në territorin e ish-Jugosllavisë – të mbledhë në Ulqin numrin më të madh të ish-yjeve të futbollit, ata që shënuan vitet ’70 dhe ’80 të shekullit të kaluar. Ai arriti të mobilizojë të gjithë komunitetin tone për këtë ide, duke e bërë Ulqinin, të paktën për disa ditë, qendër të ngjarjeve sportive në rajon.
Prandaj sot jemi jashtëzakonisht krenarë, ndërsa unë në emër të vetëqeverisjes lokale i shpreh mirënjohjen time të madhe këtij njeriu të dashur.
Babai i tij, Jaku, tifoz i flaktë i Hajdukut, do të krenohej edhe më shumë me të.
Natyrisht, jemi të lumtur dhe të kënaqur që mund të presim këto legjenda të futbollit, të bindur se do të jetë një nxitje e fortë për zhvillimin e sportit në këtë qytet. Neve na takon të sigurojmë sa më shpejt infrastrukturën e nevojshme dhe të mbështesim zhvillimin e sportit, veçanërisht të futbollit.
Sepse, vetëm dhjetë vjet pas formimit të Klubit të Hajdukut, d.m.th në vitin 1921, në Ulqin është themeluar klubi i futbollit.
Na takon neve të vazhdojmë këtë traditë të madhe shekullore, të punojmë me të gjitha kategoritë, shpresojmë të hyjmë në rangjet më të larta të kompeticionit, të ndërtojmë një stadium futbolli…
Pra, ka shumë punë për të gjithë ne, por me miq dhe dashamir të këtij qyteti, siç po shohim, gjithçka është më e lehtë!