Koalicioni “Bashkë për të ardhmen e Ulqinit” konsideron se Ulqini ka potencial të pashfrytëzuar në bujqësi dhe këtë sektor e sheh si mjaft atraktiv për investime, krijimin e vendeve të punës dhe ngritjen e prodhimit. Sektori i bujqësisë do të ndikojë në uljen e papunësisë, ngritjen e prodhimit vendor dhe zëvendësimin e importeve të produkteve bujqësore.
Do të bejmë promovimin e prodhimeve vendore dhe promovimin e zhvillimit bujqësor e ekonomik në Ulqin.
Në të gjitha tregjet ekzistuese do të ndahet një pjesë e tregut për promovimin dhe shitjen e prodhimeve vendore bujqësore. Kjo pjesë e tregut do të jetë e rezervuar vetëm për prodhime vendore dhe aty do të ketë lehtësime për prodhuesit.
Një herë në javë, në një lokacion qendror në Ulqin do të promovohen prodhimet vendore sipas modelit të qyteteve evropiane.
Komuna do të ndihmojë organizimin e prodhuesve vendorë të bujqësisë dhe të sektorëve të tjerë me qëllim mbrojtjen e interesave të prodhuesve vendorë. Po ashtu Komuna do të lehtësojë organizimin e bujqve vendorë në aktivitetet e grumbullimit dhe ruajtjes së prodhimeve bujqësore.
Subvencionimi i kamatave për agrobiznes
- Me qëllim që të përkrahet ky sektor, i cili gjeneron vende të reja të punës, përmirëson bilancin tregtar, njëkohësisht zëvendëson importin me produkte vendore, do ta bëjmë subvencionimin e kamateve për këtë sektor me qëllim të zvogëlimit të normës së interesit, që paguhet për kreditë nga bankat komerciale.
Subvencionimet e tjera në bujqësi
- Me qëllim që të përkrahet ky sektor, do të bëhet subvencionimi i shitjes së qumshtit nga bujqit individualë dhe të organizuar;
- Subvencionimi i mbjelljes së agrumeve (ulliri, mandarina, portokalli, limoni etj.).