Si një degë ekonomike shumë komplekse dhe specifike, turizmi është jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj ndikimeve nga rrethi. Ai përballet çdo ditë me shumë sfida që nuk mund të zgjidhen vetë. Para së gjithash, përmes konkurrencës me rajone të tjera, të cilat ofrojnë produkte të ngjashme, si dhe përmes ndjeshmërisë së mjedisit, mbi të cilin bazohet kryesisht turizmi.
Kjo është arsyeja pse bashkëpunimi rajonal në turizëm përfaqëson një nga aspektet kyçe për biznes të suksesshëm dhe tejkalimin e shumë sfidave me të cilat përballen subjektet turistike. Vetëm përmes partneritetit me fqinjët për sa i përket faktorëve kryesorë konkurrues si inovacioni, njohuria dhe zhvillimi i qëndrueshëm, në fund një produkt i përbashkët turistik mund të sigurojë konkurrencën dhe zhvillimin e mëtejshëm të turizmit tonë.
Autoritetet shtetërore dhe vendore duhet të sigurohet një klimë e mirë pëp bashkëpunim, në mënyrë që biznesmenët të kenë iniciativa dhe të dizajnojnë një produkt turistik rajonal.
Një gjë e tillë është tentuar me përgatitjen e një studimi të jashtëzakonshëm për Parkun Rajonal Natyror Delta e Bunës, i cili është përgatitur në vitin 2008 nga ekspertë të njohur gjermanë dhe financuar nga Banka Botërore. Megjithatë, për shkak të interesave të autoriteteve të asaj kohe, zbatimi i ideve të shprehura në studim nuk u realizua, në radhë të parë ruajtja e kësaj zone unike nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm dhe bashkëpunimit të përbashkët mes Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Zhvillimi i turizmit rajonal është drejtpërdrejt proporcional me zhvillimin e infrastrukturës. Ndaj si një nga projektet më të rëndësishme spikat ura në lumin Buna që do të lidhte Ulqinin me Velipojën. Ajo urë do të lidhë, siç u tha, 30 kilometra plazhe me rërë, që do të ishte një ofertë e shkëlqyer për tregjet e huaja.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për një performancë të përbashkët në panaire promovuese në tregje të largëta si Kina, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Australia, por sigurisht edhe në ato evropiane. Për të arritur këtë, duhet të hiqen shumë barriera kombëtare burokratike dhe të biznesit, si dhe të nënshkruhet një marrëveshje rajonale për lëvizjen ndërkufitare të turistëve dhe vizitorëve.
Ndaj, krahas ndërmarrjes së aktiviteteve të përbashkëta për propagandën turistike dhe mbrojtjen e mjedisit natyror, është e nevojshme të sigurohet njëkohësisht lundrimi nepër Bunë deri në Shkodër, të aktivizohet linja e transportit detar për në Durrës dhe veçanërisht të bashkëpunohet në fushën e zhvillimit të turizmit kulturor.
Përvoja e deritanishme me zbatimin e disa projekteve tregon se BE-ja jep fonde të mëdha për këtë, sepse bashkëpunimi ndërkufitar dhe rajonal është një nga parimet e integrimit evropian. Lidhja e rajoneve përtej kufijve përmirëson integrimin ekonomik, rrit stabilitetin dhe ka një efekt të dobishëm në ndërtimin e besimit midis fqinjëve.
Në fund të fundit, tre të katërtat e mysafirëve në rivierën e Ulqinit janë nga rajoni, si dhe një numër në rritje i punëtorëve në turizëm dhe hotelieri. Në vitet në vijim ky do të jetë një problem gjithnjë e më i theksuar, ndaj është paralajmëruar ngritja e një qendre rajonale që do të merret me këtë çështje.
Ky tekst është krijuar si pjesë e projektit për promovimin e mbrojtjes së mjedisit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit në komunën e Ulqinit, i financuar nga Ministria e Kulturës dhe Medias, nga Fondi për Nxitjen e Pluralizmit dhe Diversitetit Mediatik. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e OJQ-së “Ul info” dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë.