Nga Bashkësia e komunave kanë përshëndetur gatishmërinë e Qeverisë së Malit të Zi të garantojë për mjetet kreditore për tetë komuna në vend për planet e sanimit. “Kjo do të mundësojë që ato të marrin kredi nga bankat komerciale me norma shumë më të ulëta të interesit, të stabilizojnë bilancet e veta financiare dhe të nisin përpilimin e planit social”, thanë nga kjo organizatë.
Qeveria e Malit të Zi ka dhënë pëlqimin Komunës së Ulqinit që për këto nevoja të marrë kredi prej 5,5 milion euro, prej të cilave 3,5 milion do të shkojnë në pagesën e kredive të marra më herët, me interes shumë më të lartë.
Pritet po ashtu që deri në fund të vitit të përfundojnë të gjithë formalitetet në mënyrë që të paguhen pagat dhe pagesat e prapambetura për të punësuarit dhe furnitorët.
Për rreth 10 për qind të të punësuarve në administratën lokale dhe ndërmarrjet publike ku themelues është komuna do të sigurohen mjetet për realizimin e programit social.