Bashkësitë Lokale në Komunën e Ulqinit: Sfidat, Perspektivat dhe Nevoja për Transformim

Bashkësitë lokale (BL) përfaqësojnë një formë të drejtpërdrejtë të përfshirjes së qytetarëve në kryerjen e punëve publike dhe krijimin e politikave publike në nivel lokal. Në teori dhe sipas ligjit, kjo do të thotë që qytetarët vendosin dhe marrin pjesë në marrjen e vendimeve që kanë të bëjnë me nevojat dhe interesat lokale – nga rregullimi i vendbanimeve dhe strehimit, përmes mbrojtjes së konsumatorëve, e deri te fushat e kulturës, sportit, mbrojtjes dhe përmirësimit të mjedisit jetësor. Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, bashkësitë lokale kanë status të personit juridik brenda të drejtave dhe obligimeve që u përcillen nga komuna përmes statutit dhe akteve të themelimit.

Bashkësitë lokale janë njësi themelore të vetëqeverisjes lokale që u mundësojnë qytetarëve pjesëmarrje direkte në vendimmarrje për çështjet që prekin jetën e tyre të përditshme. Megjithatë, në komunën e Ulqinit, këto njësi përballen me një sërë sfidash që rrezikojnë efikasitetin dhe funksionalitetin e tyre. Në praktikë, në territorin e komunës së Ulqinit, kjo është shumë larg realitetit.

Formimi i bashkësive lokale në Ulqin u karakterizua nga shpejtësia procedurale që mori përparësi ndaj përmbajtjes dhe thelbit të rolit dhe funksionimit të tyre. Në fund të vitit 2013 dhe fillim të vitit 2014, komuna e Ulqinit, në mënyrë të nxituar, formoi 11 bashkësi lokale, vetëm për të përmbushur një obligim ligjor brenda afatit të përcaktuar. Përpjekjet e atëhershme të sektorit civil për të krijuar bashkësi lokale funksionale dhe efikase u minuan nga vullnetarizmi politik dhe “vendimi ekspeditiv” i udhëheqjes lokale. Në vend që të jenë rezultat i një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent, bashkësitë lokale në Ulqin u krijuan pa konsultime me qytetarët dhe vetëm një vit më vonë, shumica e tyre pushuan së funksionuari. Sekretari i atëhershëm për çështje shoqërore pranoi hapur se “vetëm një numër i vogël i bashkësive lokale është aktiv”, përfshirë edhe dy më të mëdhatë, BL 1 dhe BL 2, të cilat mbulojnë zonën urbane dhe që nuk funksiononin fare. Funksionimi i këtyre dy bashkësive më të mëdha, që përfshijnë mbi 60% të popullsisë së Ulqinit, është në një nivel jashtëzakonisht shqetësues.

Edhe pse sot Ulqini ka 14 bashkësi lokale, inaktiviteti, joefikasiteti dhe formalizmi i thjeshtë janë karakteristika të përgjithshme, me përjashtime të rralla. Nehata e komunës është më e dukshme në faqen zyrtare të internetit, ku nuk është përditësuar as numri i bashkësive lokale dhe as të dhënat për përfaqësuesit e tyre. Ky mosfunksionim pengon ofrimin e shërbimeve bazike komunale, zhvillimin lokal dhe zgjidhjen e nevojave të qytetarëve.

Pra, edhe pse formalisht ekzistojnë 14 bashkësi lokale, në thelb, ato nuk kanë ekzistuar kurrë siç duhet. Ndoshta vetëm dy ose tri prej tyre përpiqen të jenë aktive, duke treguar një nivel minimal të funksionalitetit. Të tjerat janë pothuajse të padukshme. Ligjërisht, ato duhet të identifikojnë nevojat, prioritetet dhe problemet lokale, por kjo nuk ndodh. Në vend që të jenë ura lidhëse midis qytetarëve dhe pushtetit lokal, ato janë bërë “shkronjë e vdekur në letër”.

Shembulli më drastik i mosfunksionimit janë BL 1 dhe BL 2, të cilat sipas regjistrimit përfshijnë mbi 60% të popullsisë së komunës – përfshirë Lagjen e Re, Qendrën e Qytetit, Totoëshin, Kodrat, Djeranët, Gurin e Bardhë, Pinjeshin, Qytetin e Vjetër dhe Meterizat. Këshillat e këtyre bashkësive përbëhen nga persona që nuk organizojnë mbledhje publike, nuk identifikojnë problemet dhe nuk përfaqësojnë interesat e komunitetit. Mandati i tyre është i paqartë dhe pa bazë ligjore, ndërsa arsyet për mosveprim janë të njëjtat, gjithmonë të gatshme dhe të përsëritura.

Analiza e gjendjes tregon për një nivel të ulët të pjesëmarrjes qytetare, mungesë transparence, burime të kufizuara dhe ndikime politike që pengojnë efikasitetin. Këto barriera i bëjnë BL më shumë entitete formale sesa mekanizma realë për përfaqësimin e interesave të qytetarëve.

Shumica e qytetarëve nuk e dinë se cilës bashkësi lokale i përkasin, kush i përfaqëson dhe cilat janë të drejtat dhe detyrimet e tyre. Asnjë BL nuk ka dorëzuar raport publik të punës, edhe pse kjo është detyrim ligjor. Financimi i BL nga komuna është gjithashtu jo transparent – nuk dihet sa mjete ndahen dhe si shpenzohen ato. Meqë financimi bëhet nga buxheti publik, qytetarët kanë të drejtë të dinë si përdoren paratë e tyre.

Një nga shkeljet më të dukshme të ligjit është mungesa e barazisë gjinore. Shumica e Këshillave të bashkësive lokale nuk përmbushin përqindjen e kërkuar prej 30% të grave. Këto struktura formohen pa konsultim me gratë, dhe mungesa e tyre justifikohet me frazën “nuk janë të interesuara”. Megjithatë, 87% e të anketuarve besojnë se përfshirja e grave është thelbësore. Vendimet e Këshillave që nuk përmbushin këtë kusht janë juridikisht të pavlefshme. As komuna, e as qytetarët, nuk marrin masa për të zbatuar ligjin.

Megjithëse BL kanë autonomi formale, shumica veprojnë nën ndikimin e strukturave politike. Komuna rrallë herë komunikon me to, dhe këshillat shpesh janë produkte të marrëveshjeve politike, jo përfaqësues të vërtetë të interesave qytetare.

Disa nga sfidat kryesore janë:

1.      Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies – qytetarët nuk janë të informuar për punën e bashkësive lokale, çka ul besimin ndaj institucioneve lokale.

2.      Ndikimi politik – BL shpesh përdoren për qëllime politike, duke u bërë më shumë mjet manipulimi sesa struktura përfaqësuese.

3.      Burime të kufizuara – mungesa e mjeteve financiare dhe njerëzore pengon zbatimin e projekteve dhe ofrimin e shërbimeve.

4.      Pjesëmarrje e pamjaftueshme qytetare – përfshirja minimale e qytetarëve çon në pasivitet dhe joefikasitet të bashkësive.

 

Për të përmirësuar gjendjen e BL në Ulqin, nevojiten masat në vijim:

·        Rritja e transparencës – informimi i rregullt i qytetarëve përmes rrjeteve sociale, mediave lokale dhe mbledhjeve publike.

·        Trajnime dhe edukim – përmirësimi i kapaciteteve të anëtarëve të BL në menaxhim dhe zhvillim projektesh.

·        Mbështetje financiare – sigurimi i fondeve shtesë për projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës.

·        Nxitja e pjesëmarrjes qytetare – organizimi i konsultimeve dhe mbledhjeve me banorët për të identifikuar nevojat reale.

·        Rishikimi i kufijve të BL – përshtatja e kufijve të BL me realitetin demografik dhe gjeografik të komunitetit.

Pra si përfundim munde të theksohet se bashkësitë lokale në Ulqin përballen me shumë sfida që dëmtojnë efikasitetin dhe aftësinë e tyre për të përmbushur nevojat e qytetarëve. Por me zbatimin e masave të propozuara dhe përfshirjen aktive të qytetarëve, është e mundur që ato të transformohen në struktura funksionale që kontribuojnë në zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të cilësisë së jetës.

Bashkësitë lokale janë niveli më i ulët, por më i rëndësishëm i pushtetit. Ato duhet të jenë në shërbim të qytetarit – vend ku zgjidhen problemet konkrete, nga ndriçimi i rrugës deri te furnizimi me ujë. Por në Ulqin, qytetarët shpesh ndihen të pafuqishëm, ndërsa BL janë më shumë problem sesa zgjidhje. Qytetarët duhet të dinë që kanë të drejtë – por edhe përgjegjësi – të marrin pjesë në punën e bashkësive lokale. Pa iniciativën e tyre, BL do të mbeten të padukshme, jofunksionale dhe të ndjeshme ndaj keqpërdorimeve.

Sepse nëse nuk e njihni dhe nuk vendosni për komunitetin tuaj – dikush tjetër do ta bëjë këtë për ju. Dhe është e dyshimtë nëse rruga, lagjja apo shkolla juaj do të jetë prioriteti i tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi