Bashkësitë lokale përfaqësojnë njësinë themelore të vetëqeverisjes lokale, si një mekanizëm pjesëmarrës, dhe janë një kanal i rëndësishëm ndërmjet qytetarëve dhe pushtetit komunal, përkatësisht ato janë një urë lidhëse mes qytetarëve dhe institucioneve. Ato janë të parashikuara për të mundësuar që qytetarët të marrin pjesë drejtpërdrejt në marrjen e vendimeve që prekin mjedisin e tyre të afërt jetësor, vendbanimet dhe territorin përkatës. Nëpërmjet këshillave të bashkësive lokale, qytetarët duhet të kenë mundësi të shprehin nevojat e tyre, të propozojnë zgjidhje konkrete dhe të marrin pjesë në planifikimin e projekteve lokale zhvillimore. Në këtë mënyrë, forcohet demokracia lokale dhe ndjenja e përgjegjësisë për hapësirën e përbashkët jetësore.
Bashkësitë lokale, në sistemin që është i përcaktuar me ligj në Mal të Zi, janë të njohura si nismëtarë apo partnerë në realizimin e shumë projekteve infrastrukturore – që nga ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugëve, ndriçimi publik, rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimit, e deri tek përmirësimi i institucioneve arsimore dhe shëndetësore. Përveç kësaj, bashkësitë lokale mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e traditës lokale dhe forcimin e kohezionit social përmes organizimit të aktiviteteve kulturore, sportive, shoqërore dhe humanitare.
Një aspekt i rëndësishëm i veprimit të bashkësive lokale reflektohet edhe në rolin e tyre gjatë situatave krizore. Gjatë fatkeqësive natyrore, pandemive apo rrethanave të tjera të jashtëzakonshme, bashkësitë lokale duhet të shërbejnë si linja e parë e ndihmës për popullatën, duke koordinuar ndihmën humanitare, informimin dhe mobilizimin e burimeve lokale. Gjithashtu, roli i bashkësive lokale në zhvillimin e qëndrueshëm nuk mund të anashkalohet. Nëpërmjet nismave lokale, ato duhet të jenë aktivisht të përfshira në zhvillimin e projekteve mjedisore, promovimin e përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe forcimin e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit jetësor.
Në komunën e Ulqinit, e cila është e njohur për diversitetin e saj kulturor, historinë e pasur dhe burimet natyrore, bashkësitë lokale duhet të luajnë një rol kyç në realizimin e proceseve demokratike, përmirësimin e infrastrukturës lokale dhe forcimin e ndjenjës së bashkësisë mes banorëve. Veçanërisht në një komunë si Ulqini, e cila posedon pasuri të jashtëzakonshme natyrore – nga plazhet, lumenjtë, deri te tokat bujqësore – bashkësitë lokale duhet të jenë partnerë kyç në ruajtjen e këtyre burimeve për gjeneratat e ardhshme.
Bashkësitë lokale në Ulqin ekzistojnë dhe janë të njohura formalisht, mirëpo roli i tyre në gjithçka që u përmend më lart është minimal, nëse fare ekziston. Ky mekanizëm i rëndësishëm nuk i ushtron kompetencat e tij ligjore, nuk e kryen funksionin e tij primar, dhe sigurisht nuk përfaqëson një kanal të nevojave lokale apo një urë lidhëse mes qytetarëve dhe vetëqeverisjes lokale. Që bashkësitë lokale të mund të realizojnë plotësisht rolin e tyre, është e domosdoshme mbështetja e vazhdueshme nga strukturat komunale. Kjo nënkupton jo vetëm ndihmë financiare, por edhe përfshirjen e bashkësive lokale në të gjitha fazat e marrjes së vendimeve strategjike – nga planifikimi deri te realizimi. Gjithashtu, është e nevojshme të punohet në forcimin e kapaciteteve njerëzore brenda bashkësive lokale, por edhe brenda vetë komunës – përmes trajnimeve, edukimit dhe rrjetëzimit – në mënyrë që të kuptohet roli dhe rëndësia e këtij mekanizmi.
Pra, bashkësitë lokale në komunën e Ulqinit nuk duhet të jenë e as të perceptohen vetëm si njësi administrative, por si organizma të gjallë që pasqyrojnë nevojat, ambiciet dhe potencialet e popullsisë lokale. Rëndësia e tyre reflektohet në jetën e përditshme të qytetarëve dhe në aftësinë për të qenë nxitës të ndryshimeve pozitive në komunitet. Duke forcuar kapacitetin dhe rolin e tyre në vetëqeverisjen lokale, krijohen baza për zhvillim të barabartë, pjesëmarrje më të madhe qytetare dhe një lidhje më të fortë ndërmjet njerëzve dhe hapësirës ku ata jetojnë.