Zyrtarisht Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Të 28 vendet anëtare të BE-së kanë votuar pro gjatë mbledhjes së Këshillit Europian për kandidaturën e Shqipërisë, transmeton TCh.
Vendimi i marrë nga Ministrat e Jashtëm është zyrtarizuar formalisht. Menjëherë pas kësaj vendimi është përshëndetur nga Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle, përmes një postimi në faqen e tij në Twitter.
“Urime Shqipërisë për statusin! Njohje e përpjekjeve për reforma; nxitje për më shumë”, shkruan Fyle.
Vendet kryesore të BE-së, Gjermania, Anglia, Franca, Holanda, ndryshe nga qëndrimi i dhjetorit këtë herë treguan qasje pozitive për kandidaturën e Shqipërisë dhe rekomandimit të Komisionit Europian.
Së bashku me miratimin e statusit, Këshilli Europian do të miratojë edhe konkluzionet për Shqipërinë, ku përfshihen edhe kriteret për hapin tjetër drejt BE-së, hapjen e negociatave.
Kjo është hera e tretë që Këshilli Europian shqyrton kandidaturën e Shqipërisë. Pas refuzimit dy vjet më parë, shtyrjes së tij në dhjetor, në këtë përpjekje të tretë Shqipëria arriti të marrë statusin e vendit kandidat.
Vendimi pritet të ratifikohet edhe nga krerët e qeverive të 28 vendeve anëtare.