Anëtari i Këshillit qendror të Lëvizjes qytetare URA Safet Beci ka deklaruar se pushteti i ri nuk është krijuar me vullnet të lirë të qytetarëve të Ulqinit por është instaluar nga Podgorica.
“Për këtë arsye ky pushtet do të jetë i detyruar t’i shërbejë interesave të disa individëve të fuqishëm dhe me këtë të sigurojë mbijetesën e vet të paktën për një kohë”, tha ai në konferencën për shtyp të kësaj parti.
Sqaroi që para së gjithash mendon për partitë nacionale. “Fatkeqësisht, nuk duhet të jemi parashikues të së ardhmes që të dimë se shumica e ardhshme do të pranojë shumë shpejt Planin hapësinor-urbanistik. Mbetet të shihet se a do të jetë ai në pajtim me planin për zonën bregdetare kundër çkaje ne fuqishëm e çojmë zërin”, tha Beci dhe porositi pushtetin e ardhshëm që “nëse miratohet ky plan i cili parasheh ndërtimin e kapaciteteve akomoduese në hapësirën e Kripores dhe Valdanosit, do të jetë e qartë që liderët e partive nacionale shqiptare nuk janë udhëhequr me asnjëfarë interesash shtetërore, nacionale ose lokale por kryesisht me ato personale dhe të atyre që i instaluan”.