Nënkryetari i komunës së Ulqinit Safet Beci ka deklaruar se vendimi i kryetarit të Gjykatës ekonomike në Podgoricë të pranojë kërkesën e avokatëve të komunës së Ulqinit që rastin “K1” mos ta gjykojë më gjyqtarja Millica Popoviq është “beteja e parë e madhe e fituar në rrugën e mbrojtjes të së drejtës dhe të vërtetës, si dhe shpëtimi i Komunës së Ulqinit nga grabitja e planifikuar të cilën për vite të tëra e përgatisnin manjatët vendas në bashkëpunim me pushtetin gjyqësor”.
“Qasja sistematike, serioze dhe profesionale në këtë punë, tashmë jep rezultare, ndërsa jam i sigurt se deri në fund do të heq çdo dyshim në pafajësinë e Komunës së Ulqinit dhe në atë mënyrë do të relaksojë të gjithë qytetarët tanë të cilët tash sa vite kërcënohen me bllokimin e llogarisë me vlerë 10,5 milion euro”, tha Beci në kumtesë për opinion.
Ai rikujtoi se vetëm në 15 muajt e parë të funksionimit të pushtetit të ri komuna e Ulqinit ka humbur rreth 1,4 milion euro, në bazë të kontesteve gjyqësore. “Në shumë raste rezultati përfundimtar, besoj, mund të ishte ndryshe. Prandaj është detyrimi ynë që në mënyrë maksimalisht serioze t’i qasemi të gjithë kontesteve që janë në vijim ose do të bëhen kundër Komunës, në të gjithë instancat gjyqësore dhe në atë mënyrë të mbrojmë interesat e qytetarëve tanë”, tha ai.
Beci theksoi se në rastin “K1” pushteti lokal fitoi betejën e parë të madhe, por shtoi se para tij janë edhe shumë sfida. “Si nënkryetar jam i kënaqur me qasjen e re të mbrojtjes së kontesteve gjyqësore dhe shpresoj se për shkak të shpërfilljes, përtacisë ose punëve të pista të dikujt nga arka e Komunës nuk do të derdhet më asnjë cent”, shtoi nënkryetari i Komunës së Ulqinit dhe përfundoi: “Rasti K1 është test i madh edhe për gjyqësorin malazez, i cili më në fund duhet të çlirohet nga ndikimi i grupeve të interesit dhe të fitojë besimin e qytetarëve. Për këtë arsye besoj se ky lajm i bukur është shenj i mirë, i cili duhet të ketë jehon shumë më gjerë seç është qyteti i Ulqinit”.








