Ëndrra e Keltit (The Dream of the Celt) është roman i madh dhe intrigues i nobelistit Mario Vargas Lloses, i botuar në vitin 2010. Ky roman është historia e një aventure që filloi në Kongo në vitin 1903 dhe përfundoi në një burg të Londrës, një mëngjes të vitit 1916. Vargas Llosa, i cili është konsideruar prej kohësh si një nga zërat letrarë më të gjallë, provokues të Amerikës Latine sjell një personazh kompleks në jetë si asnjë shkrimtar tjetër. Kjo vepër mjeshtërore trajton një njeri të diskutueshëm, Roxher Kejsmentin (Roger Casement), pionier në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, historia e të cilit është lënë pas dore prej kohësh.
Titulli Ëndrra e Keltit i referohet një poeme epike të shkruar nga Roxher Kejsment, martirit irlandez, pseudonimit të tij dhe ëndrrës së tij për një Irlandë të lirë. Kejsmenti ishte figura më e shquar dhe më intriguese e përfshirë në Kryengritjen e Pashkëve. Gjatë tre muajve kritikë në 1916, ai mbajti të gjallë historinë e rebelimit irlandez. Ai u shpall fajtor për tradhti nga ana e britanikëve dhe u dënua me varje, më 29 qershor 1916.
Romani tregon dramën jetësore të një personi legjendar: një hero dhe një horr, një tradhtar dhe një liridashës, moral dhe amoral, pamja e tij komplekse zbehet dhe rilind pas vdekjes.
Kejsmenti ishte një nga evropianët e parë që deklaroi tmerret e kolonializmit.
Në veprën monumentale analitike Kultura dhe imperializmi, Eduard Saidi shprehet se Xhozef Konradi dhe Roxher Kejsmenti kanë shkruar për abuzimet dhe dhunën e furishme dhe të pandalshme të njerëzve të bardhë në koloni si Kongoja.
Në stafin e misionarëve të dërguar nga Leopoldi II në Afrikë ishte një irlandez 20-vjeçar, Roxher Kejsment, sinqerisht i bindur se kristianizimi, tregtia dhe motorët me avull do të qytetërojnë “Afrikën barbare”.
Ai i kishte besuar fjalëve të Mbretit Leopold II të Belgjikës: Të hapësh rrugën për qytetërimin në të vetmen zonë në tokë ku ende nuk ka arritur, për të thyer errësirën në të cilën jetojnë ende raca të tëra njerëzore, është një kryqëzatë e denjë për këtë shekull përparimi.
Por Kejsmenti e kupton shpejt se asgjë nuk është ashtu siç duket: terrori ndaj vendasve kryhet nën komandën e oficerëve belgë. Në këtë ushtri private të Leopoldit II, gjithçka i nënshtrohet përfitimit të tij: çdo e shtënë duhet të justifikohet me dorën e prerë të të vrarit; për të kursyer municionin ushtarët shpesh ua prisnin duart njerëzve të gjallë.
Gjatë dy dekadave të sundimit të Leopold II, nga njëzet milionë banorët e Shtetit të Lirë të Kongos, të paktën pesë, ndoshta edhe dhjetë milionë u vranë në mënyra të ndryshme – askush nuk e din me siguri.
Kejsmenti nxori raportin më 1904, ku paraqiti dëshmi për gjenocidin. Për shkak të punës së tij diplomatike, Kejsmenti fiton titullin e kalorësit nga Anglia. Megjithatë, përvoja e Kongos e ndryshoi atë. Këto udhëtime dhe ajo që ai pa në to e ndryshuan atë përgjithmonë, duke e detyruar atë të hynte në një aventurë tjetër, intelektuale dhe patriotike. Kjo do ta shtyjë atë të kundërshtojë Anglinë që admironte dhe të marrë pjesë aktive në luftën për qëllimet e nacionalizmit irlandez. Pyeste veten a nuk është edhe Irlanda e zhytur në varfëri dhe e ekspozuar ndaj dhunës së vazhdueshme politike të Londrës, në një pozicion kolonial? Pse bashkatdhetarët e tij nuk mundën të vendosnin për fatin e tyre?
Ai i ndau përvojat dhe njohuritë e tij me një mik të ri, kapitenin e sapoardhur të Marinës Tregtare, Xhozef Konrad, i cili u kthye në Britani me material për kryeveprën e tij, Zemrën e errësirës.
Gjysma e parë e romanit të Lloses, në aspektin narrativ e stilistik, përkujton dhe i referohet qartë Zemrës së errësirës së Konradit. Në fakt, Konradi shfaqet në roman si protagonist.
Ëndrra e Keltit përshkruan një aventurë ekzistenciale në të cilën ana e errët e shpirtit njerëzor shfaqet në formën e saj të pastër dhe më të ndyrë. Konradi shfaqet në lidhje me mbrojtjen e vlerave evropiane nga Kejsmenti. Sipas Konradit, Afrika i ktheu evropianët në barbarë; për Kejsmentin, ishin evropianët ata që sollën barbarinë me vete.
Në vazhdën e debatit lidhur me fatin e Kejsmentit, kur ishte i arrestuar si tradhtar nga ana e britanikëve, u publikuan fragmente nga një ditar i tij, ku përshkruheshin aventurat seksuale që ndikuan të nxitet përbuzja ndaj tij nga ana e shumë bashkatdhetarëve të tij. Këto aventura seksuale të pasqyruara në ditarin e tij prishen imazhin e tij publik në Irlandë dhe e hodhën në plan të dytë veprimtarinë e tij patriotike.
Engjëlli dhe demoni janë të përzier në mënyrë të pazgjidhshme në personazhin e tij. Llosa me këtë roman zbardh anë të ndryshme, kontradiktore, brendafërkuese të natyrës së Roxher Kejsmentit dhe nëpërmjet analizës së figurës së tij komplekse shtjellon temën e kolonializmit.
E kaluara e shquar humaniste e Kejsmentit u bë problem në rritje për qeverinë britanike kur e dënuan me vdekje. Edhe pse i dënuar me varje, askush nuk mund të sfidojë as moralin, karakterin, integritetin e tij personal. Më pas tabloidët londinezë marrin një dërgesë speciale nga shërbimi sekret. Këto janë fletoret e zeza, ditari intim i përvojave homoseksuale të Kejsmentit. Në një pjesë të madhe të publikut është arritur qëllimi: jo vetëm është një tradhtar, por edhe një pervers i errët dhe gjithçka që ka bërë gjatë gjithë jetës së tij duhet parë ekskluzivisht përmes kontekstit të seksualitetit të tij.
Peticioni për faljen e Kejsmentit është nënshkruar nga shkrimtarët Bernard Shaw dhe Arthur Conan Doyle, por jo nga miku i tij – Xhozef Konrad, i cili nga frika personale nuk e nënshkruan, pasi ishte britanik i natyralizuar.
Mbështetja e parimeve të mëdha, pa vënë në dyshim ekzistencën personale, është një gjë; lufta për jetën e njeriut kundër të gjithë pushtetit dhe opinionit publik, e shoqëruar me rreziqe dhe pasoja të rënda – është diçka krejtësisht tjetër. Në fund të fundit, Zemra e errësirës nga Kongoja mbërrin Konradin si errësira e zemrës së tij.
“Nga të gjithë njerëzit që duhej të ekzekutoja, Roxher Kejsmenti vdiq më i guximshmi”, thuhet në kujtimet e xhelatit britanik John Ellis.