Bernard Çobaj: KORRIGJIMET

Vazhdim i “Tregimtaria e madhe amerikane parë nëpërmes binokularit të vrojtimeve të zogjve në Kriporen e Ulqinit”.

“Fiksioni është një zgjidhje, zgjidhja më e mirë për problemin e vetmisë ekzistenciale” -Franzen (Korrigjimet)

Në bisedë me Rudina Xhungën, Franzen u shpreh se ishte shumë i zemëruar kur shkruante Korrigjimet.

Zemërimi i bën gjërat më të mprehta, u jep humor skenave. Po ashtu, u shpreh se letërsia e tij nuk është politikisht e angazhuar por i kushtohet komplikimit të gjërave, që është e kundërta e asaj çka bën politika. Politika e komplikuar nuk i hyn kujt në punë.

Politika do që njerëzit ta dinë mirë se ç’duhet të bëjnë e për kë të votojnë. Unë si novelist dua që njeriu të mendohet dy herë që të gjejë se cila është gjëja e duhur. Unë dua që njeriu të mendojë se edhe pala tjetër mund të ketë të drejtë.  

Të gjithë këto vërehen në shkrimin e Franzenit, ku çdo fjali ka peshën e vet, referencën e duhur. Nuk ka fjali të tepërt. Korrigjimet paraqesin rrëfim të sajuar mirë nga një mori detajesh të vëzhguara me përpikëri dhe lajtmotive të imëta që krijojnë pamjen e mozaikut të Amerikës në vitet e fundit të shekullit XX. Herë qesharake e cinike, e pakëndshme dhe prekëse, Korrigjimet përshkruajnë dy breza të një familjeje amerikane që luftojnë për t’i dhënë kuptim jetës së tyre dhe po ashtu hap ngapak dritaren për të parë zymtësinë e vendit që ec rrëshqanas kah mijëvjeçari i ri.

Romani hulumton këndet e errëta të çështjeve të shumta, nga globalizimi, industria farmaceutike dhe kolonizimi ekonomik e deri te situata në Evropën Qendrore dhe jeta universitare e shekullit XXI. Autori nëpërmes stilit tërheqës dhe intelektual sjell ngrohtësi dhe humanizëm në tregimin epik të familjes jofunksionale Lambert dhe përpjekjes së tyre për t’u takuar për një Krishtlindje të fundit familjare.

Ritmi i romanit është i furishëm: është një vepër enciklopedike, e detajuar me përpikëri rreth fushave të jetës amerikane që ka nën vështrimin e vet: përplasjen e dhunshme të botës së vjetër të frenimeve seksuale me atë të botës së lakmisë globale.

Albert dhe Enid Lambert janë dy të moshuar, të lidhur në mënyrë harmonike nga një urrejtje e thellë gjysmëshekullore. Ata e kalojnë kohën në përplasje verbale, duke i “hedhur kunja” njëri-tjetrit. Lambertët, një familje nga vendi Midwestern, St. Jude (Shën Juda, mbrojtës i kauzave të pashpresa), janë mbytur nga vala e rënies ekonomike në fund të shekullit të kaluar dhe ngecën në cekëtinat e saj.

Paratë, çdo gjë lidhur me to, i kanë ndryshuar raportet dhe jo më pak lidhjet që mund të mbanin afër një familje. Në një kohë më të hershme, më të thjeshtë, Alfred Lamberti, një inxhinier hekurudhor në pension me arritje të famshme mes kolegëve të tij dhe një moralist i rreptë personal, mund të mos ishte dukur si një dështak. Gruaja e tij, Enid, mund të mos e kishte ndjerë se “ata ishin të vetmit njerëz inteligjentë të brezit të saj që nuk kishin arritur të bëheshin të pasur”.

Problemi ishin paratë dhe poshtërimet e jetës pa to. Çdo karrocë fëmijësh, telefon celular, makinë e tipit SUV që shihte ishte një mundim. Ai nuk ishte lakmues, nuk ishte ziliqar. Por pa para, ai nuk ishte burrë.

Tre fëmijët e tyre – Denise, Chip dhe Gary, mund të mos kishin qenë aq të prirur për të ikur nga pasojat e këtij dëshpërimi të trashëguar duke kërkuar dashuri dhe para në qytetet e Bregut Lindor.

Franzen përshkruan pesë jetët e tyre të thyera me intensitet të përzemërt. Ai furnizon secilin prej tyre me shpresë, diç për t’u kapur, harxhon gjithë shkathtësinë gjuhësore për të lëvruar mbi dëshpërimin e tyre dhe, mbi të gjitha, me komedi e butësi e bën lexuesin të kujdeset se si do t’ia dalin.

Dhe ndërkohë e vërteta e trishtë ishte se jo të gjithë mund të ishin të jashtëzakonshëm, jo të gjithë mund të ishin jashtëzakonisht simpatikë; sepse kë do të linte kjo të ishte i zakonshëm?

Fëmijët e Lambertëve janë, natyrisht, ata që tradhtojnë dhe shkatërrojnë botën e prindërve të tyre, por për shkak të kësaj ata nuk janë më të lumtur.

Megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, dhe veçanërisht përkundër gabimeve të vështira në të cilat ata vazhdojnë me kokëfortësi, Lambertsve do t’u jepet të paktën një shans për korrigjime. Disa do ta përdorin atë, të tjerët jo.

Përtej gjithë kësaj qëndron një paragjykim se gjërat dikur ishin shumë më mirë, të pareformuara: “Të gjithë po përpiqen të korrigjojnë mendimet e tyre dhe të përmirësojnë ndjenjat e tyre dhe të punojnë në marrëdhëniet e tyre dhe aftësitë prindërore në vend që thjesht të martohen dhe të rrisin fëmijë si më parë.”

Nostalgjisti më pasionant është Alfredi, i cili e ka parë kompaninë hekurudhore së cilës i dha jetën, të shkatërruar dhe të zhveshur nga pasuria dhe boshllëku i së cilës është pjesërisht një metaforë: Amerika dikur i përkiste njerëzve si ai – punëtorë, praktikë, por tani i ka nxjerrë jashtë dhe janë bërë lëvozhga boshe.

Shkrimin po e mbyllim me thënien nga Korrigimet:

Vetëm heshtja ishte e pranueshme në potencialin e saj për të qenë e pafund.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Gjeka Nënave të Srebrenicës: JU JENI EDHE NËNAT TONA
Gjeka Nënave të Srebrenicës: JU JENI EDHE NËNAT TONA

Ministri për drejtat e njeriut dhe pakicave në Qeverinë e Malit të Zi Fatmir Gjeka dhe perfaqësuesi i Aleancës Qytetare Milan Radoviq dhuruan sot një shami për Nënat e Srebrenicës. “Thonë se Zoti i do

Ulqin: PREZANTOHET PLANI LOKAL PËR PUNËSUESHMËRINË E TË RINJËVE TË KOMUNËS SË ULQINIT
Ulqin: PREZANTOHET PLANI LOKAL PËR PUNËSUESHMËRINË E TË RINJËVE TË KOMUNËS SË ULQINIT

  Sot, para zyrtarëve të Vetëqeverisjes Lokale, institucioneve publike dhe aktorëve të tjerë vendorë, prezantuam dokumentin PLANI LOKAL PËR PUNËSUESHMËRINË E TË RINJVE. Ky plan paraqet një vlerë të

Të premten: TRIBUNË ISLAME DHE PROMOVIM I LIBRIT
Të premten: TRIBUNË ISLAME DHE PROMOVIM I LIBRIT

Mexhlisi i Bashkësisë Islame Ulqin në bashkëpunim me organizatën Horizonti – Qendra për mirëkuptin ndërkulturorë Ju fton të merrni pjesë në Tribunë Islame dhe promovim të librit „Dilemat bashkëkohore

Gjekë Gjonaj: Husein Bato Dukaj, la pas një vepër që kapërcen shumë jetë
Gjekë Gjonaj: Husein Bato Dukaj, la pas një vepër që kapërcen shumë jetë

U bënë shtatë vjet  nga vdekja e parakohshme,   në moshën 56 vjeçare,  të Husein Bato Dukaj, regjisorit të parë të shkolluar  në Mal të Zi, me të cilin kam punuar disa vite  në TVMZ.  Dhe këtë përvjetor

Jashtëzakonisht ngrohtë edhe në ditët në vijim: DJE NE ULQIN REKORD – 37.7 GRADË
Jashtëzakonisht ngrohtë edhe në ditët në vijim: DJE NE ULQIN REKORD – 37.7 GRADË

Për shkak të valës tropikale dhe temperaturave jashtëzakonisht të larta, alarmi meteorologjik portokalli është në fuqi dhe në ditët në vijim do të jetë shumë nxehtë, ndërsa gjatë fundjavës temperatura