Filmi Pesha e padurueshme e talentit masiv (The Unbearable Weight of Massive Talent) përmban në titull ehon e kryeveprës së Milan Kunderës Lehtësia e papërballueshme e qenies (The Unbearable Lightness of Existence) dhe sikur shenjëzon papërballueshmërinë si term kyç në dyzimet e brendshme e të jashtme jetësore.
Filmi hapet me skenën nga filmi Con Air në TV, ku një vajzë duke shikuar me të dashurin shprehet sa cool është Nicolas Cage, para se të rrëmbehet nga kriminelët nën ritmet e How do I live (nga Con Air soundtrack).
Nicolas Cage (mbiemri do thotë kafaz) luan versionin fiktiv të vetes Nick Cage, i cili sikur edhe Nicolasi në jetën reale është në rënie të lirë me karrierën e tij – aty janë edhe problemet familjare, raporti i thyer me vajzën dhe borxhet e grumbulluara financiare.
Në këtë hendek jetësor, Nick Cage fiton mundësinë të shpërblehet me 1 milion dollar nëse shkon në Majorka (inçizuar në Dubrovnik) për të kaluar ca ditë me Havi Gutierez (e luan Pedro Paskal, i njohur si agjenti Penja në serialin Narcos), multi-milioner, i dyshuar nga agjencitë e sigurisë si trafikues i armëve. Havi ka dëshirë që Cage të luajnë në filmin e tij dhe ia jep skenarin që kishte bërë me vite ta lexoj. Mes tyre lind kimi e jashtëzakonshme.
Filmi në aluzionet metapoetike përkujton skena legjendare të filmave të Cage sikur Leaving Las Vegas, Face Off, Gone in 60 seconds, The Rock sikur edhe Adaptation meta-filmin e parë të Cage, të cilit i referohet në disa skena The Unbearable Weight of Massive Talent. Kurse skenat parodike përkujtojnë në disa raste Hot Shots me Charlie Sheen.
Filmi qëndron në raport ndërtekstual me Being John Malkovich, Birdman si dhe me filmin e parë të këtij zhanri The Last Action Hero të John McTiernan me Shvarceneger.
Cage në film shprehet se puna e tij është për të bërë filma si përgjigje ndaj kritikave se prodhon shumë filma të produksioneve B – Cage thotë më duhet vetëm një film të kthehem në lojë.
Duket që ky është ai film – mozaik i ndërlikuar i filmit në film, ku Nicolas Cage mund të ketë qëlluar me filmin për të dalë nga kafazi i produksioneve B dhe për Nick Cage filmi në film i sjellë shpërblim në fund.
Siç thotë alter-egoja (zëri i brendshëm i Nick Cage), i sajuar si roli i tij në Wild at Heart, ti nuk je aktor, ti je Nicolas fuckin’ Cage.
Në film shkrirja e elementeve parodike që i referohen zhanreve të ndryshme të roleve të Cage krijon skena të jashtëzakonshme komike (pavarësisht njohjes së referencave, skenat janë komike) dhe pastaj shndërrohet në triler, ku Cage merr rolin e agjentit të fshehtë, të angazhuar nga CIA, që e çon kah finalja e filmit – transformimi në modelin e roleve nga filmat më shembullorë aksion të tij për të shpëtuar familjen e vet.
Skena e Cage i maskuar (ala Mission impossible- Tom Kruz) me tuta sportive të klubit të futbollit Napoli, në rolin e mafiozit italian, është mbresëlënëse dhe “mu qesh me plas”.
Filmi është shembull ilustrativ i postmodernizmit dhe në këtë çelës interpretues shikohet. Ndryshe, filmi do t’iu duket i mjegullt dhe i paqartë.
Pesha e padurueshme e talentit masiv është ylli kinematografik i këtij viti.