Bernard Çobaj: Vazhdim i Përplasjes së qytetërimeve në vështrimin e Eduard Saidit

Saidi komenton situatën botërore duke nënvizuar sa e përhapur është dukuria që njerëzit të flasin në emër të abstraksioneve të mëdha, të zbehta/të paqarta dhe manipuluese si ‘Perëndimi’ ose ‘kultura japoneze’ ose ‘islami’ ose ‘konfucianizmi’. Etiketat që shembin religjionet, racat dhe etnitë e veçanta në ideologji që janë dukshëm më të pakëndshme dhe provokuese se ato që bënte Ernest Renani 150 vjet më parë.

Saidi ilustron disa shembuj. Gjuha e identitetit të grupit bëhet veçanërisht e ashpër nga mesi e deri në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, si kulmim i dekadave të konkurrencës ndërkombëtare ndërmjet fuqive të mëdha evropiane dhe amerikane për territoret në Afrikë dhe Azi. Në betejë për hapësirat boshe të Afrikës, të ashtuquajturin Kontinentin e Errët, Franca dhe Britania, Gjermania, Belgjika, Portugalia përdoren jo vetëm forcën por edhe një mori teorish dhe retorika për të justifikuar plaçkitjen e tyre. Ndoshta më i famshëm është nocioni francez i misionit civilizues – la mission civilizatrice – një nocion që pretendon se disa raca dhe kultura kanë një qëllim më të lartë në jetë se të tjerat. Kjo i jep më të fuqishmëve, më të zhvilluarve, më të qytetëruarve, më të lartësuarve, të drejtën për të kolonizuar të tjerët, jo në emër të fuqisë brutale apo plaçkitjes, që të dyja janë pjesë standarde të veprimeve të tilla, por në emër të një ideali fisnik.

Novela e famshme e Xhozef Konradit, Zemra e errësirës, është zbatim ironik dhe i frikshëm i kësaj teze, siç shprehet rrëfimtari “pushtimi i Tokës i cili më së shumti nënkupton heqjen e saj nga ata që kanë një ngjyrë ndryshe, pak hundët më të sheshta se ne, nuk është gjë e bukur, kur e shikon hollësisht”. Ideja është ajo që e shpaguan atë. Një ide në prapavijë, jo një pretendim sentimental, por një ide, dhe një besim altruist në ide, diçka që të bën të përkulesh dhe të sakrifikosh për të.

Në përgjigje të kësaj lloj logjike ndodhin dy gjëra. Njëra është që fuqitë imperialiste konkurruese shpikin teorinë e tyre të fatit të vet kulturor për të justifikuar veprimet e tyre jashtë vendit. Britania kishte një teori të tillë, Gjermania kishte një, Belgjika kishte një dhe sigurisht në konceptin e Fatit të manifestuar (Manifest Destiny), edhe Shtetet e Bashkuara kishin një të tillë.
Fati i manifestuar ishte një term që erdhi për të përshkruar një besim të përhapur në mes të shekullit të 19-të që Shtetet e Bashkuara kishin një mision të posaçëm për t’u zgjeruar drejt Perëndimit.

Këto ide shfajësuese i japin dinjitet praktikave të konkurrencës dhe përplasjes, të cilat qëllimin e vërtetë e kishin, siç e vërejti me saktësi Konradi, vetë-lavdërimin, fuqizimin, pushtimin, pasurimin dhe vetë-krenarinë e pakufizuar. Ajo që ne sot e quajmë politikë apo retorikë identiteti, kur një pjesëtar i një grupi etnik, fetar ose kulturor e vendos atë grup në qendër të botës, rrjedh nga periudha e konkurrencës imperialiste nga fundi i shekullit, dhe kjo nga ana tjetër, provokon konceptin e qytetërimeve në luftë, që përbën thelbin e shkrimit të Hantingtonit. Në raport me ekonominë politike, gjeografinë, antropologjinë dhe historiografinë, teoria se çdo botë është e mbyllur në vetvete, i ka kufijtë e vet dhe territorin, është zbatuar në hartën e botës, në strukturën e qytetërimeve, te nocioni se çdo racë ka një fat të veçantë, një psikologji dhe një etos.

Ernest Renani tha, për shembull, se fati i racës kineze është të shërbejë. Ata janë një popull i dëgjueshëm dhe duhet të shërbejnë. Raca e zezë duhet të jetë punëtore për nevojat e njerëzimit, sepse ata janë të fortë fizikisht dhe mund të punojnë shumë – të gjitha këto ide pothuajse, pa përjashtim, nuk bazohen në harmoninë, por në përplasjen ose konfliktin midis botëve.

Gjëja e dytë që ndodh është se njerëzit me më pak vlerë në vështrimin imperialist përgjigjen duke i rezistuar manipulimit dhe përcaktimit të tyre të dhunshëm. Tani dihet se rezistenca aktive ndaj njeriut të bardhë filloi në momentin kur ai vuri këmbë në vendet si Algjeria, Afrika Lindore, India dhe gjetkë. Më vonë, rezistenca parësore u vazhdua nga rezistenca dytësore me organizimin e lëvizjeve politike kulturore të vendosura për të arritur pavarësinë dhe çlirimin nga kontrolli imperialist. Pikërisht në momentin kur në shekullin e nëntëmbëdhjetë fuqitë evropiane dhe amerikane nisen një retorikë të vetë-justifikimit kulturor, fillon të përhapet anembanë një retorikë reaguese te popujt e kolonizuar, që flet me gjuhën e unitetit afrikan ose aziatik ose arab ose musliman, pavarësisë, vetëvendosjes.

Në Indi, për shembull, Partia e Kongresit u organizua në vitin 1880 dhe nga fundi i shekullit e kishte bindur elitën indiane se vetëm duke mbështetur gjuhët indiane, industrinë dhe tregtinë mund të vijë edhe liria politike. Këta janë tanët dhe vetëm tanët, provonte argumenti, dhe vetëm duke mbështetur botën tonë kundër botës së tyre, përsëri konstruksioni “ne kundrejt atyre”, mundemi përfundimisht ta gëzojmë lirinë. Një logjikë e ngjashme vërehet gjatë periudhës Meiji në Japoninë moderne. Retorikë e tillë e përkatësisë është e vendosur në zemër të çdo lëvizjeje nacionaliste për pavarësi. Pas Luftës së Dytë Botërore erdhi jo vetëm deri te çmontimi i një periudhe rreth njëzet vitesh të imperializmit klasik, por te pavarësimi për dhjetëra shtete e më tepër.

Si në kontaktet koloniale ashtu edhe ato postkoloniale, pra, retorika e specifikave të përgjithshme, kulturore ose civilizuese shkoi në dy drejtime potenciale: në një anë, një linjë utopike që këmbëngulte mbi një model të përgjithshëm integrimi dhe harmonie midis të gjithë popujve; tjetri, një linjë që sugjeronte se si të gjitha kulturat ishin aq specifike dhe xheloze sa të refuzonin dhe të luftonin kundër të gjithë të tjerave. Ndër shembujt e utopizmit janë gjuha dhe institucionet e Kombeve të Bashkuara, të themeluar pas Luftës së Dytë Botërore dhe më pas zhvillimi i përpjekjeve të ndryshme të qeverisë botërore të bazuara në bashkëjetesën, kufizimet vullnetare të sovranitetit, integrimin e popujve dhe kulturave në mënyrë harmonike. Ndër të dytat janë teoria dhe praktika e Luftës së Ftohtë dhe ideja e një përplasjeje qytetërimesh, e cila duket të jetë një domosdoshmëri për një botë të përbërë nga kaq shumë pjesë. Sipas kësaj, kulturat dhe qytetërimet në thelb janë të ndara nga njëra-tjetra, domethënë thelbi i Islamit është të jetë i ndarë nga çdo gjë tjetër, ndërsa thelbi i Perëndimit është të ndahet nga të gjithë të tjerët. (vijon)

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Hoteli Mediteran SHITJE INVENTARI DERI TË HËNËN
Hoteli Mediteran SHITJE INVENTARI DERI TË HËNËN

Veç edhe 3 dite 499 euro Ti merr gjithëçka brenda dhome. +382 69 154 180 Hotel Mediteran – Ulqin 

Murati: GJETËM 12.000 EURO NË XHIROLLOGARINË E KOMUNËS, TANI KEMI RRETH NJË MILION
Murati: GJETËM 12.000 EURO NË XHIROLLOGARINË E KOMUNËS, TANI KEMI RRETH NJË MILION

Sekretari i Sekretariatit për buxhet dhe financanë Komunën e Ulqinit Arian Murati deklaroi se “vazhdon performanca e shkëlqyer në aspektin e mbledhjes së të hyrave buxhetore”. “Xhirollogaria e komunës

Parking servisi: NGA 1 TETORI REGJIMI I RI I PAGESËS SË PARKIMIT PUBLIK
Parking servisi: NGA 1 TETORI REGJIMI I RI I PAGESËS SË PARKIMIT PUBLIK
MBËSHTETJE PËR STARTUP-et E TË RINJËVE
MBËSHTETJE PËR STARTUP-et E TË RINJËVE

    Fillimi i një biznesi të ri kërkon një përgatitje të konsiderueshme. Aty ku tregu po has probleme, startup-et janë të parët që mund të sjellin zgjidhje të shpejta. Dhe zgjidhjet janë ide

Kryetari Bajraktari në konferencë shtypi për 100 ditët e para në pushtet: FINANCAT E KOMUNË TË STABILIZUARA, NISIN INVESTIMET
Kryetari Bajraktari në konferencë shtypi për 100 ditët e para në pushtet: FINANCAT E KOMUNË TË STABILIZUARA, NISIN INVESTIMET

Të nderuar qytetarë dhe qytetare të komunës së Ulqinit, përfaqësues të mediave, zonja dhe zotërinj! Konferencën e sotme për shtyp e kam thirrur për të ndarë me ju rezultatet e 100 ditëve të para që kur