Me rastin e 23 prillit, Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtave Autoriale, në Bibliotekën e Ulqinit do të organizohen disa aktivitete për nder të librit dhe kulturës së të lexuarit.
Kështu, gjatë tërë ditës së premte, më 22 prill 2016, Biblioteka e Ulqinit organizon anëtarësim njëvjeçar falas.
Po ashtu, të premten, më 22 prill, në orën 19, do të bëhet përurimi i librit “Mehmet Beci dhe lufta për mbrojtjen e Ulqinit” i autorit prof. Eqrem Beci, i organizuar nga Biblioteka dhe Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi.
Përveç këtyre dy aktiviteteve, për nder të Ditës së Librit, të premten Bibliotekën do ta vizitojnë fëmijët e institucionit publik parashkollor “Solidariteti” nga Ulqini.
Me këto aktivitete, Biblioteka e Ulqinit shënon këtë datë simbolike për letërsinë botërore, duke vazhduar të promovojë rëndësinë e librit, leximit dhe bibliotekës, si institucion kulturor të pazëvendësueshëm.