Bijondina Mehmedi: BASHKË NJË ZA

Bijondina MehmediShkruan: Bijondina Mehmedi, Anëtare e Këshillit Qendrorë të Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Dega Ulqin

Me afatin e fundit për dorëzimin e listave zgjedhore që ishte 4 gushti, u finalizua dhe vendimi i subjekteve politike shqiptare në Malin e Zi që të garojnë me dy lista në zgjedhjet parlamentare.

Pavarësisht bisedimeve mes liderëve të partive dhe përpjekjeve të organizatave Shqiptaro-Amerikane të Diasporës, të cilat fatkeqësisht me një qasje të njëanshme nuk arritën të bënin unifikimin e partive shqiptare, përkundrazi shkaktuan shumë reagime, konfuzion dhe përçarje tek elektorati shqiptar. Si pasojë ato polarizuan edhe më tepër çështjen duke akuzuar njërën palë e glorifikuar anën tjetër, bazuar vetëm në opinion dhe preferenca individuale. Sidoqoftë, çdo lloj bashkimi i cili ndërtohet mbi mosbesim nuk mund të ketë sukses afatgjatë e nuk do të ishte i dobishëm për askënd.

Koalicioni i parë i formuar është Koalicioni Shqiptar “Bashkë nji za” i përbërë nga Partia Demokratike, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi, i pasuar nga Lista Shqiptare “Koha është tani” i përbërë nga Forumi Demokratik dhe Forca e Re Demokratike. Këto janë dy listat e partive nacionale shqiptare të cilat do dalin në zgjedhjet që zhvillohen më 30 gusht 2020.

Me hapjen zyrtare të fushatës, si anëtare e Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe tani pjesë e koalicionit shqiptar “Bashkë nji za”, për hir dhe respekt ndaj komunitetit shqiptar në Mal të Zi, apeloj që mes koalicioneve shqiptare të zhvillohet një fushatë e drejtë pa sulme dhe kundërsulme ndaj njëri-tjetrit.

Duke mos harruar që ne ndajmë të njëjtat qëllime dhe synime. Të vetëdijshëm që fuqia dhe pozicionet që posedojmë është e vënë në duart tona nga besimi i elektoratit, detyra jonë është të koordinojmë e veprojmë ndershëm në përmbushjen e interesave të popullit.

Në këto kohë të pasigurta qarkullon një tendencë mosbesimi dhe pesimizmi brenda trupit elektoral, si pasojë e sistemit shumëpartiak por edhe gabimeve të së kaluarës. Një nga synimet, është që sadopak të zbusim fragmentizimin dhe shpërndarjen e elektoratit duke punuar ndershëm për realizimin e interesave të përgjithshme, si rezultat të navigojmë elektoratin drejt subjekteve nacionale shqiptare.

Unioni Demokratik i Shqiptarëve, besoj edhe subjektet tjera shpesh herë theksojnë që janë të etur në përfshirjen e sa më shumë të rinjve e të rejave që kanë një vizion dhe një dëshirë për ndryshim. Përfshirja në agjenda si dhe harmonizimi i aksionit për të rritur pjesëmarrjen reale të të rinjve në politikbërje dhe vendim-marrje, padyshim ndikon pozitivisht në rritjen e kredibilitetit dhe klimës së bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve. Rinia kurrsesi nuk duhet ta neglizhojë politikën, si e vetmja armë apo mundësi me anë të së cilës mund të ndryshojmë mënyrën e jetës, edukimin, punësimin, zhvillimin ekonomik, sistemin shëndetësor etj.

Sot kemi një sërë mekanizmash në dispozicion, për realizimin e interesave tona të përbashkëta, që janë: faktorizimi politik, përfaqësimi në institucionet e larta shtetërore, ruajtja e identitetit kombëtar, rruga Euro-Atlantike, zbatimi i dispozitave ligjore e kushtetuese, shfrytëzimi i të drejtave të garantuara nga konventat ndërkombëtare, zhvillimi i qëndrueshëm etj.

Me hapjen e kapitullit të fundit të negociatave, Mali i Zi është edhe një hap më afër anëtarësimit në BE, çka automatikisht i favorizon shqiptarët si pakicë, duke pas parasysh që një nga kriteret kryesore politik të anëtarësimit, lidhet me demokracinë dhe respektimin e të drejtave të pakicave apo minoriteteve.

Me këtë shkas, ftoj bashkëqytetarët dhe shqiptarët në çdo cep të Malit të Zi, që me votën e tyre të lirë të vendosin për fatin e tyre duke votuar Koalicionin shqiptar “Bashkë nji za”.

Koalicioni shqiptar “Bashhkë nji za” përbëhet nga dy subjektet më të vjetra në Mal të Zi, premton garanci për të ardhmen, si dhe një përfaqësim dinjitoz në Parlamentin e Malit të Zi në mandatin vijues.

Thjeshtësia, vizioni, optimizmi dhe dëshira për të bërë punë të mira na diferencon.

Posaçërisht në këto kohë ku vet Mali i Zi po ballafaqohet me trazira në fushën politike, duke shtuar edhe efektet e pandemisë Covid-19 e cila po sfidon fuqitë botërore, me krizën ekonomike dhe depresionin social si faktor pasues i pashmangshëm, është thelbësore që votat e shqiptareve në Mal të Zi të derdhen në favor të subjekteve shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi