Botime të reja: “VIZIONE” TË QANI OSMANIT

VizionePas librit të tij të parë “Demokracia dhe partitë politike shqiptare në Mal të Zi”, botuar në vitin 2016, Qani Osmani vjen para lexuesit me librin e tij të ri “Vizione”, botuar ditët e fundit.

Libri është përmbledhje e artikujve, vështrimeve dhe opinioneve të autorit, që trajtojnë një gamë të gjerë çështjesh, nga dimensioni shoqëror, politik dhe fetar, të cilat janë preokupuese për autorin. Një numër i tyre janë botuar në gazetën “Koha javore” dhe në portalet në gjuhën shqipe në Malin e Zi, si dhe në mediat shqipe në hapësirën mbarëshqiptare.

“Edhe në këtë libër jam përpjekur për qasje analitike dhe kritike ndaj çështjeve që janë preokupuese për shqiptarët në këto treva. Çështjet e tilla nuk janë vetëm të dimensionit lokal, por edhe atij më të gjerë. Duke qenë gjithnjë i mendimit se hulumtuesi duhet detyrimisht të zhvishet nga të gjitha ndjenjat, në mënyrë të paanshme, se vetëm ashtu do të qëndrojë në dimensionin e teorisë dhe shkencës”, thekson autori në parathënien e librit.

Redaktor i librit është Ali Salaj, rencensent dr. Nail Draga, lektor Ismet Kallaba, korrektore Valdete Osmani, kurse redaktor teknik Gazmend Çitaku.

Libri është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë, ndërsa botimi i tij është mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Malin e Zi.

Qani Osmani u lind në vitin 1960, në Gostivar të Maqedonisë. Shkollën fillore dhe gjimnazin e përgjithshëm i mbaroi në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filozofik – dega Filozofi-Sociologji, i kreu në vitin 1983 Universitetin e Prishtinës.
Që nga viti 1986 jeton në Ulqin, ku edhe themeloi ndërmarrjen private “Qani Comerc”, të cilën e drejtoi deri në fund të vitit 2013. Që prej vitit 2013 është anëtar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…